2012-01-06 18:13:02

Kometa, ylli që udhëhoqi Mbretërit Dijetarë: me ne drejtori i Observatorit të Vatikanit, atë Funes


Sot, në festën e Dëftimit të Zotit, kujtojmë vizitën e Mbretërve Dijetarë në shpellën ku ndodhej Jezusi i sapolindur. Sipas Ungjillit të Shën Mateut, ata i udhëhiqte një kometë, e cila mori emrin Ylli i Betlehemit. Nëse i japim rëndësi vërtetësisë historike të kësaj ngjarjeje, na duhet të kërkojmë një fenomen astronomik të asaj kohe, për të cilin na ndihmon drejtori i Observatorit të Vatikanit, atë Hosé Gabriel Funes:
Nuk rezulton të jetë regjistruar historikisht një fenomen i tillë astronomik në atë kohë, por kjo nuk do të thotë se nuk ka ekzistuar. Atë që dimë, sidomos falë studiuesve të Biblës, është se shën Marku ungjilltar, përmes ngjarjeve të fëmijërisë së Jezusit, përpiqet të tregojë se në Të plotësohen Shkrimet e Shenjta. Kjo ka një domethënie shpirtërore shumë të thellë e shumë të bukur.
Gjithsesi, këtu kemi nevojë si për shkencën, ashtu edhe për historinë. Dimë se fenomenet astronomike, para dymijë vjetësh, lidheshin me ngjarje të rëndësishme të epokës…
Shpesh, lindjes së mbretërve të mëdhenj, ose të protagonistëve të mëdhenj të historisë i bashkangjitej një fenomen astronomik. Ky është njëri nga interpretimet. Tjetri është se në atë kohë, Jupiteri e Saturni, ose edhe ndonjë planet tjetër, kanë qenë në të njëjtën linjë. Tjetër interpretim akoma është se ka shpërthyer një yll supernova… e akoma, se ka kaluar një kometë. Mendoj se ka më tepër rëndësi kuptimi shpirtëror, i cili e ka bazën edhe në histori, në lindjen e Jezu Krishtit.
Atë Funes, a mund të na shpjegoni nga pikpamja shkencore, por thjesht, se ç’është kometa?
Kometat formohen në periferi të sistemit tonë diellor e janë shumë larg nga Dielli. Për shembull, planeti Pluton formon një pjesë të këtyre trupave qiellorë në periferi të sistemit, të cilët më pas i afrohen Diellit dhe krijojnë bishtin karakteristik të kometës. Bërthama e saj mund të jetë nga 3-4 km deri në 10-12 km, ndërsa bishti mund të arrijë deri në 150 milion km.
Kometa, sipas traditës, është pika e referimit të Mbretërve Dijetarë për të gjetur Jezusin Foshnjë – pra ka një vlerë të jashtëzakonshme fetare – por është edhe fenomen shkencor. A mund të na ndihmojë në dialogun ndërmjet fesë e arsyes, ndërmjet shkencës e fesë?
Sigurisht. Shpesh në kulturën bashkohore, e cila nganjëherë mbetet vetëm në sipërfaqen e gjërave, shkenca dhe feja paraqiten si armiqtë e një lufte të shenjtë. Por nuk është kështu. Mbretërit Dijetarë janë për ne shembull se si shkenca dhe feja mund ta ndihmojnë njëra-tjetrën, mund të integrohen, mund të jetojnë në harmoni. Dijetarët janë shtegtarë, që kërkojnë të vërtetën. Janë shembull për ne, njerëz të ndershëm nga pikpamja intelektuale, që me inteligjencë, kërkojnë të vërtetën. Siç thotë Ungjilli, në interpretimin e yjeve, në takimin me Jezusin, në gjetjen e së vërtetës, ata janë të lumtur e ky është një mesazh i bukur e i rëndësishëm për kohët tona. Më duket se kjo fotografi e Betlehemit, që tregon Dijetarët në gjunjë para Foshnjës Hyjnore, është akoma aktuale për të folur për Kishën. Kisha është e pranishme në mesin e të varfërve, ndërmjet barinjve, të parëve, që u shpallet lindja e Jezusit, por edhe në mesin e njerëzve të kulturës e të shkencës, që si Dijetarët me kometën, e marrin Lajmin e Mirë në një mënyrë të ndryshme.








All the contents on this site are copyrighted ©.