2012-01-06 19:30:59

Kisha kujton 600-vjetorin e lindjes së Shën Zhanës D’Ark.


Kisha e Franca, në festë për 600-vjetorin e lindjes së Zhanës d’Ark. Sot, në qytezën e Domremi-la-Pysele, ku lindi Shenjtorja, u mbajt një kremtim solemn, në të cilin ishte i pranishëm edhe presidenti i Republikës franceze, Nikolas Sarkozì. Për figurën e jashtëzakonshme të “Vajzës së Orleanit”, të dëgjojmë historianin Franko Kardini:

Përgjigje: - Për Zhanën d’Ark, dimë se lindi në vitin 1412, sepse e bëjmë llogarinë duke u nisur nga vdekja e saj, në majin e vitit 1431. E dimë këtë, sepse është datë e ekzekutimit. Mbi të, pastaj, ra hija e harresës. E dimë edhe se Zhana, jo drejtpërdrejt por moralisht, ishte ajo që kurorëzoi Karlin VII si mbret i Francës e, prej këndej, u zgjodh data 6 janar, dita e festimit të Dëftimit të Zotit, për të përcaktuar datën e lindjes së Zhanës.

Pyetje: - Si gjykohet sot figura e Shenjtores franceze, shumë e diskutuar në rrjedhë shekujsh?

Përgjigje: - Besoj se Zhana vijon të mbetet enigmë: që një vajzë, e cila jetoi në shekullin XVI, t’i prijë një populli, apo një ushtrie, është krejt e jashtëzakonshme. Zhana është figurë e ardhur nga hiçi. Krijoi një ide krejt të vetën për atdheun: atdheu është toka e të parëve, që duhet çliruar nga çdo këmbë e huaj. Këto koncepte, për ne, njerëz të shekullit XXI, që e kemi kapërcyer nacionalizmin, mund të na duken paksa të vjetëruara, por gjithsesi mbeten më se normale. Ndërsa për kohën, ishin tejet të jashtëzakonshme, pa llogaritur faktin se Zhana ishte Shenjtore.

Pyetje: - Ç’ju prek më tepër tek figura e “Vajzës së Orleanit”, si historian, por edhe si i krishterë, e si katolik…
Përgjigje: - Ajo që më prek, e që e vërejmë edhe tek historia e martirizimit të saj, është siguria e patundur, besimi se po bënte një gjë të drejtë. Ruhen ende aktet e inkuizicionit, që e dënoi me djegie mbi turrën e druve e, po t’i lexojmë, të çudisin përgjigjet e kësaj vajze gjysëmanalfabete ose fare analfabete, përballë ikuizitorëve të ashpër e të ditur. Përgjigje aq të sigurta e të urta, sa të lind dëshira t’i quash “urti e ndikuar”. E pastaj të prek edhe miti i saj, që e bashkon popullin francez. Edhe sot e kësaj dite Shenjtorja e vogël vijon të mbetet mit për Francën socialiste e, njëkohësisht, edhe për botën politike më afër Kishës, e deri për të djathtën ekstreme. Të gjithë e kremtojnë festën e saj. Prej këndej, mund të themi se edhe sot e kësaj dite, kujtimi i Shenjtores së Vogël të Orleanit, vijon t’i bashkojë kundërshtarët, gjë që të prek thellë e të bën të mendosh.








All the contents on this site are copyrighted ©.