2012-01-06 18:10:38

Dijetarët e hutuar
e grimca e Zotit


Edhe këtë vit, me afrimin e Krishtlindjes, pritëm dukjen simbolike të një shenje, të një ylli në qiell, që t’u thoshte të gjithëve se po vjen Ai, i cili 2000 vjet më parë, ndryshoi krejtësisht historinë e njerëzimit. Pritëm shenjën e Dëftimit të Zotit, kometën që u ndriçoi udhën Dijetarëve.
Por, këtë vit, “dijetarët” e rinj panë disa shenja të çuditshme e të papritura. Fjala është për zbulimin e punonjësve shkencorë të CERN-it, laboratorit të Gjenevës, të cilët, gjatë matjes së shpejtësisë së neutrinos, vunë re se ai e kapërcen shpejtësinë e dritës. E, edhe për regjistrimin e gjurmëve të mundshme të bozonit të Higgsit, grimcë elementare, quajtur “grimca e Zotit” (natyrisht, jo nga shkencëtarët), për faktin se duhet të jetë pjesë përbërëse elementare e materies. Nëse konfirmohet rezultati i parë, krejt fizika e njohur deri më sot, ndryshon krejtësisht; rezultati i dytë do të konsolidonte shpjegimin e botës, veçanërisht të materies sub-atomike, sipas të ashtuquajturit “model standart”, që unifikon tre nga katër forcat e njohura në natyrë. Por ç’lidhje ka kjo me Krishtlindjen?
Për ta kuptuar këtë duhet të thellohemi sadopak në realitetin sub-atomik dhe në metodën e njohjes, që përdor fizika moderne. Gati një shekull më parë, kur fizikanët filluan të analizonin strukturën e atomit, zbuluan elektronet e më pas, protonet e neutronet dhe i quajtën këto “grimca elementare”, duke menduar se materia nuk mund të ndahej më tej. Studimet e mëvonshme treguan sa e gabuar ishte kjo ide. Vërtet, u zbuluan grimca të çdo lloji e madje, të tilla, që herë silleshin si grimca me peshë e herë si valë. Mori formë kështu, fizika kuantike e në kohë më të vona, u krijua i ashtuquajturi “model standart”, i cili, deri tani, është shpjegimi më i mirë i realitetit fizik, që disponojmë. Paradoksi i tij qëndron në faktin se për të parashikuar rezultatet, duhet ta konsiderojë realitetin përkohësisht të panjohur, nga njëri eksperiment tek tjetri. Për shembull, në rastin e neutrinos, që niset nga Gjeneva e përfundon në laboratorin e Gran Sassos të Italisë, do të themi se jemi në gjendje të përcaktojmë me saktësi se kur niset e kur mbërrin, por nuk dimë ç’është e si sillet gjatë rrugës.
Ndokush mund të ngrejë supet e t’ua lerë këto probleme shkencëtarëve, por në të vërtetë, të gjithë jemi të përbërë nga këto “grimca”, që nuk na e tregojnë lehtë kush janë, ndonëse ne pretendojmë se e dimë kush jemi, ku jemi e si lëvizim. Si ta pajtojmë pakapshmërinë e elementeve përbërëse të organizmit tonë me faktin, që ne jemi unikë e të papërsëritshëm? Edhe Albert Ajnshtajni, para kësaj dileme, shkruante: “Ajo që vërej në natyrë është një strukturë madhështore, që mund ta kuptojmë vetëm me fragmente. Kjo strukturë duhet t’i përçojë çdo qënieje të aftë për të menduar, një ndjenjë përvuajtërie, një ndjenjë të vërtetë fetare, që s’ka të bëjë aspak me misticizmin”.
Atëherë pra, duke vazhduar ta analizojmë realitetin me metoda shkencore, duke e ndarë atë teknikisht në pjesë, ndoshta duhet të kërkojmë edhe një këndvështrim global plotësues, simbolik e gjithëpërfshirës, tipik për poezinë dhe artin, i cili, për analogji, të arrijë në marrëdhënie më të mira ndërmjet njeriut, evolucionit të tij dhe Natyrës “së re”, asaj të fizikës kuantike e të kozmologjisë së Big-bangut.
“Parajsa” e Dante Aligierit është një shembull sublim i shkrirjes së shkencës, filozofisë e teologjisë në emocionin poetik. Edhe sot, duhet gjetur rruga për ta mbushur humnerën, që ka filluar ta ndajë shkencën nga humanizmi, përndryshe do të mbetemi skllevër të një vështrimi të reduktuar mbi botën. Thelbi i njohjes së botës nga njeriu është mundësia dhe aftësia mahnitëse e tij për të interpretuar racionalisht dhe simbolikisht Natyrën, sado e ndërlikuar dhe e mistershme të jetë ajo.
Në këtë pikë, na takon neve të vendosim nëse një mrekulli e tillë është fryt i rastit, apo na zbulon ndonjë kuptim më të thellë. E atëherë, edhe neutrinot e bozonet e Higgsit, gjithnjë të pranishme në gjithësi, por të “zbuluara” vetëm tani nga njeriu, mund të kthehen në shenja të Dëftimit të Zotit. E ne, duke u bashkuar idealisht me intuitën poetike dhe profetike të psalmistit, do të mund të themi:
“Lavdërojeni Zotin, o Diell e Hënë,
lavëdrojeni o yje plot shkëlqim…
lavdërojeni o galaktika e gjithësi të zanafillës,
lavdërojeni, o ju grimca të Zotit, të gjitha”.








All the contents on this site are copyrighted ©.