Me 5 janar kalendari kujton shën Gjon Nepumoçenin Neuman, ipeshkëv.
Gjoni lindi në Bohemì më 28 mars të vitit 1811 në një familje zejtarësh. Emri i tij
i dytë - Nepomuçeni - është i një shenjti të shekullit XIV, që quhej kështu, sepse
kishte lindur në Nepomuç të Bohemisë, vend që në 1800-tën i përkiste Perandorisë Austro-hungareze. Studioi
më parë disiplinat klasike në shkollën Ceke Budojevice, për të kaluar më pas në seminar
në Universitetin e Pragës, ku studioi teologjinë. Përveç studimeve filozofike e teologjike,
interesohej për astronomi e botanikë. Në moshën 24 vjeç ishte gati për t’u bërë prift,
dëshironte shugurimin meshtarak, mirëpo ipeshkvi i tij, në vitin 1835, vendosi që
nuk do të kishte shugurime tjera meshtarake, pasi që Bohemia kishte një numër të
madh priftërinjsh. Gjoni Nueman, që fliste tetë gjuhë, i shkroi ipeshkvijve amerikanë
duke kërkuar të shugurohej për meshtar. Në vitin 1836 emigroi në SHBA-së, zuri vend
në Manhatam, ku u mirëprit nga ipeshkvi John Dubois, i cili kishte vetëm 36 priftërinj
për Shtetet e Nju Jorkut e të Nju Xhersit. Dy javë pasi kishte arritur në SHBA u shugurua
meshtar dhe u dërgua në Bufalo, ku do të kujdesej për emigrantët me origjinë gjermane.
Meshtari i ri u vendos në Williamswille ku nisi të banojë në një shtëpi të vogël,
që u bë qendër e veprimtarisë misionare. Nga kjo shtëpizë nisej çdo ditë për të vizituar
e takuar popullsinë e fshatrave për rreth: kështu bëri miq e armiq, dashamirë e kundërshtarë,
jetoi me rrezik mbi kokë, nè varfëri të plotë, për ta kryer si duhet detyrën e misionin
që i qenë besuar. Duke u qëndruar pranë të gjithë njerëzve që kishin nevojë për
meshtarin, Gjon Nepomuçeni Neuman e la krejt pas dore kujdesin për vetveten. Nisi
të flinte pak, të hante edhe më pak. Shpesh herë ushqehej vetëm me bukë e ujë, sa
për të mbajtur gjallë shpirtin. Po atij kështu i pëlqente, sepse e ndjente veten të
realizuar vetëm duke jetuar në atë mënyrë që Shën Pali Apostull e kishte përshkruar
në letrën e tij të dytë drejtuar të krishterëve të Korintit: “Udhëtime të panumërta...rreziqe
ndër qytete...rreziqe ndër shtigje e shkreta... Lodhje, kundërshtime, uri e etje”.
E një jetë e tillë nuk do të vononte të jepte frytet e veta shpirtërore. Hyri në
urdhrin e Redentoristëve dhe në vitin 1825 papa Piu IX e emëroi ipeshkëv të Filadelfias.
Ipeshkvi i ri do t’u printe meshtarëve e besimtarëve me shembullin e jetës personale.
Dha një kontribut të jashtëzakonshëm për riorganizimin e dioqezës. Qe i pari që organizoi
sistemin shkollor dioqezan e rriti numrin e shkollave katolike në dioqezë nga një
deri në dyqind. I pranoi Motrat Skolastike të Zojës së Bekuar për t’u përkujdesur
për të edukimin e të varfëve e të fëmijëve jetimë. Ishte ipeshkëv popullor e për
këtë u kritikua shumë prej grupeve të ndryshme antikatolike. Në Filadelfia prelati
ngriti pesë Kisha e filloi ndërtimin e Katedrales. Iu kushtua në mënyrë të posaçme
formimit shpirtëror të të rinjve. Mbeti njeri i doktrinës, njeri i Zotit në shtegtim
drejt njerëzve. E ashtu vdiq: në shtegtim, derisa fama e shenjtërisë së tij përhapej
kudo e mbështetur edhe me mrekulli që Zoti kryente me ndërmjetësinë e tij. Vdiq në
moshën 48 vjeç më 5 janar 1860, u shpall shenjt në vitin 1977 nga papa Pali VI.