2012-01-05 14:48:49

Komunikatë për Vitin e Fesë: të krishterët të jenë dëshmitarë të besueshëm e të gëzuar të takimit me Jezusin


Do të publikohet të shtunën, më 7 janar, Nota e Kongregatës për Doktrinën e Fesë, e cila do të përmbajë udhëzimet baritore për Vitin e Fesë, shpallur nga Papa Benedikti XVI. Kujtojmë se ai do të fillojë më 11 tetorin e këtij viti dhe do të përfundojë më 24 nëntor të vitit 2013. Ndërkaq, sot u bë e njohur një komunikatë, përmes së cilës përvijohen aspektet kryesore të dokumentit. Theksohet se ky Vit, shpallur me Letrën Apostolike “Porta fidei”, përbën një rast të jashtëzakonshëm për përtëritjen e takimit të çdo besimtari me Krishtin.
Papa, thuhet në komunikatë, dëshiron t’i tërheqë vëmendjen Kishës Katolike e të vendosë në qendër të Vitit të Fesë “takimin me Jezu Krishtin dhe bukurinë e fesë në Të”. Udhëzimet baritore të dokumentit u përkasin katër niveleve: Kishës universale, konferencave ipeshkvnore, dioqezave dhe së fundi, famullive, bashkësive e lëvizjeve kishtare. Nënvizohet se fillimi i Vitit të Fesë përkon me dy përvjetore të mëdha: me 50-vjetorin e hapjes së Koncilit II të Vatikanit dhe me 20-vjetorin e Katekizmit të Kishës Katolike. Vetë Papa Benedikti XVI, vë në dukje komunikata, është impenjuar gjithnjë për kuptimin e drejtë të Koncilit, duke nxitur interpretimin e duhur të reformës dhe përtëritjen e bashkësisë kishtare, në vazhdimësi me veprimtarinë e përhershme të Kishës. Viti i Fesë, thuhet në Notën e Kongregatës për Doktrinën e Fesë, përpiluar në bashkëpunim me dikastere të tjera të Vatikanit dhe me Komitetin Përgatitor, synon të kontribuojë në rizbulimin e fesë, që të krishterët të jenë dëshmitarë të besueshëm e të gëzuar të Krishtit, për të gjithë njerëzit në kërkim të Zotit.
Udhëzimet baritore kanë si qëllim favorizimin e takimit me Krishtin përmes dëshmitarëve të fesë, por edhe përmes veprimtarive, që do të zhvillohen gjatë Vitit. U jepet rëndësi e veçantë nismave me karakter ekumenik për bashkimin e të krishterëve e lajmërohet se do të ketë edhe një kremtim solemn ekumenik, gjatë Vitit të Fesë. Në nivelin e konferencave ipeshkvnore, inkurajohet rritja e cilësisë së formimit katekistik, përdorimi i gjuhëve të ndryshme të komunikimit e të artit, me transmetime televizive e radiofonike, me filma e publikime të kuptueshme për publikun e gjerë. Do të realizohet edhe një faqe interneti, enkas për Vitin e Fesë.
Në nivelin dioqezan, vazhdon Nota e Kongregatës për Doktrinën e Fesë, Viti duhet parë si rast i përshtatshëm për nxitjen e dialogut ndërmjet fesë dhe arsyes, me konferenca e simpoziume. Ai është gjithashtu, kohë e favorshme për kremtime pendestare, gjatë të cilave t’i kërkohet falje Zotit, sidomos për mëkatet kundër fesë. Në nivelin famullitar, propozimi qendror mbetet kremtimi i fesë në liturgji e veçanërisht në Eukaristi.
Për të koordinuar nismat e dikastereve të ndryshme kishtare, do të ngrihet një sekretari e veçantë për Vitin e Fesë, pranë Këshillit Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri.







All the contents on this site are copyrighted ©.