Festa e Dëftimit të Zotit është për ata që e kërkojnë Zotin në jetën e përditshme
Të dashur dëgjues, me 6 janar Kisha kremton festën e Dëftimit të Zotit, festë që ndër
shqiptarë njihet si festa e ‘Ujit të Bekuar’. Me këtë kremtim Kisha përkujton ardhjen
e tre Mbretërve Dijetarë në Shpellën e Betlehemit e momentin e adhurimit të Foshnjës
Hyjnore nga ana e tyre. Melkiori, Baltasari e Gaspri u nisën në kërkim të diçkaje
për t’u siguruar se intuita e tyre shkencore qe e drejtë. Sipas tyre, ngjarja qiellore
që vunë re, ylli kometë që ndoqën ishte shenjë lajmesh të mira. Nuk e dinin Dijetarët
se kurioziteti i tyre do t’i çonte para Birit të Zotit, para Foshnjës Hyjnore. Në
Jerusalem njerëzit u shqetësuan: kush janë këta të tre e ku shkojnë? Herodi u terrorizua:
pra profecitë e vjetra që ai vetë i konsideronte përralla po u realizokan! Mesia do
t’i marrë vendin, Zotin e paska konkurrent? Meshtarët e Tempullit e skribët e dinë
vendin ku do të lindë Mesia, por kontrollojnë më kot Shkrimet: nuk do të dalin nga
pallatet për ta verifikuar profecinë. Të mbetur vetëm, Mbretërit Dijetarë, paganë
e pa Zot, ndjekin kometën e mbërrijnë para shën Marisë e Birit të saj. Kërkonin përgjigje
për teoritë e tyre dhe gjejnë Zotin. Festa e Dëftimit të Zotit është për të gjithë
ju që kërkoni Zotin në jetën e përditshme, duke bërë punë të tjera, në dukje jo aq
të rëndësishme, festa e Dëftimit të Zotit është festa juaj, është festa jonë. Është
festa e të gjithë atyre që nëpërmjet artit, shkencës, filozofisë e jetës së përditshme
i bëjnë pyetje vetes e përpiqen të kapërcejnë kufizimet e teorive e mendimet e ndryshime.
Mbretërit Dijetarë njohin në të Foshnjën e sapolindur e të brishtë Zotin e panjohur
për ta, dhe i ofrojnë kem Mbretit, i ofrojnë ar –shenja e kundërshtive që zbulon zemrat
e secilit, dhe i ofrojnë mirrë që përdorej për të vdekurit, si shenjë e kryqit që
ishte në jetën e Jezu Krishtit. Mbeten në hije pallatet e pushtetit në Jerusalem,
ku lajmi mbi lindjen e Mesisë çohet paradoksalisht nga vetë Mbretërit Dijetarë, dhe
sjell jo gëzim, por frikë dhe reagime të urrejtshme. Plan i mistershëm hyjnor: “drita
erdhi në botë, por njerëzit preferuan errësirën ndaj dritës, sepse veprat e tyre janë
të këqija. Mbretërit Dijetarë janë paria e popujve, të thirrur edhe ata që të bëjnë
pjesë në Kishë, janë populli i ri i Zotit, bazuar tashmë vetëm te besimi i përbashkët
në Jezusin, Bir i Zotit. Në festën e Dëftimit të Zotit edhe njëherë ripohohet rëndësia
e të “Dëftuarit të Zotit” Mbretërve Dijetarë, shenjë e kthimit të popujve paganë në
besimin e vërtetë në një Zot të vetëm: Dëftimi i Krishtit është prandaj në të njëjtën
kohë edhe dëftim i Kishës, pra i të shfaqurit e thirrjes dhe të misionit të saj të
universal: dëshmimin e Dashurisë së Krishtit ndaj çdo njeriu e çdo populli.