Papa: audienca e parë e përgjithshme e vitit 2012. Kisha të jetë dëshmitare e dritës
Ungjillore
Krishtlindja është “pika në të cilën Qielli e toka bashkohen” duke i dhënë jetë asaj
që shën Atanasi i Aleksandrisë e përshkruan si “shkëmbim të madhërishëm” ndërmjet
hyjnores e njerëzores. Këtë e kujtoi Papa Benedikti XVI gjatë audiencës së parë të
përgjithshme të 2012-shit, mbajtur sot paradite, 4 janar, në Sallën e Palit VI në
Vatikan. Papa duke propozuar përsëri disa nga temat që lidhën me kohën e Krishtlindjes,
në mënyrë të veçantë vuri në pah përmasën e gëzimit që lindë nga “mahnitja e zemrës
që sheh se si Zoti vepron në histori”. Ai – tha Papa – “bëhet kështu kaq i afërt sa
të mund ta shohim e ta prekim”. Në atë Foshnjë nevojtar për gjithçka, vërtetë, “ajo
çka është Zot: amshimi, forca, shenjtërimi, jeta, gëzimi, bashkohen me atë që jemi
ne: ligështi, mëkat, vuajtje, vdekje”. Pasoja e parë e këtij “shkëmbimi të madhërishëm”,
në saje të të cilit “i largëti është bërë i afërt”, vepron në vet njerëzimin e Krishtit.
“Fjala – nënvizoi Benedikti XVI – ka marr natyrën tonë njerëzore e, në shkëmbim,
natyra jonë njerëzore është lartuar në dinjitetin hyjnor”. Nga kjo buron “pjesëmarrja
jonë reale dhe intime në natyrën hyjnore të Fjalës”. Krishtlindja, pra, është “festë
në të cilën Zoti bëhet kaq i afërt me njeriun sa të ndajë me të vet aktin e lindjes
së tij, për t’i dëftuar e zbuluar dinjitetin e tij më të thellë: atë të të qenurit
birë i Zotit”.
Kështu në audiencën e parë të përgjithshme të këtij viti, para
mëse 10 mijë besimtarëve e shtegtarëve nga mbarë bota të pranishëm në Sallën e Palit
VI në Vatikan, Papa Benedikti XVI së pari edhe një herë bëri “urimet e përzemërta”
për vitin e porsafilluar, e pastaj përshkoi domethënien e “kohës liturgjike” që nis
nga Nata e Krishtlindjes e deri në solemnitetin e Dëftimit të Zotit, apo të festës
së Ujit të Bekuar, siç quhet ndër shqiptarë kjo festë e krishterë. Në katekizmin
e sotëm Papa Ratcinger shpjegoi domethënien e “gëzimit” e të “misterit”, që për të
krishterët, përshkruajnë dhe karakterizojnë këtë periudhë. Gëzimi e “drita” e Krishtlindjes,
nënvizoi Benedilkti XVI, bëhen detyrë për Kishën: “Thirrja ‘zgjohu’, ‘vishu me dritë’,
që përtërihet e përsëritet në festën e Dëftimit të Zotit – tha Papa Ratcinger – është
një ftesë drejtuar Kishës, drejtuar bashkësisë së Krishtit, por edhe çdonjërit prej
nesh, një thirrje për të marrë atë ndërgjegjësim të gjallë të misionit e të përgjegjësisë
ndaj botës që është dëshmimi dhe bartja e dritës së re të Ungjillit”. “Kisha – nënvizoi
Papa pasi citoi kushtetutën ‘Lumen Gentium‘ (Drita e popujve) të Koncilit të II të
Vatikanit – nuk është dritë, pordritën e merr nga Krishti, e pranon atë për t’u ndriçuar
prej saj dhe për ta përhapur në tërë shkëlqimin e saj”. “Harku i ditëve të shkurta
por intensive të kremtimeve” nga Krishtlindja deri te Dëftimi, shpjegoi Benedikti
XVI, na përkujton se në Krishtlindje ne kremtojmë lindjen e Jezusit “si fakt historik”,
e në Dëftim, kujtojmë lindjen e Jezusit si “aspekt të një misteri, të Zotit që zbulohet
e dëftohet në natyrën e Krishtin”. “Reagimi i parë para këtij Zoti që bëhet Foshnje
nuk mund të mos jetë përveç se gëzimi”, pohoi Papa duke përmbledhur pastaj teologjinë
e krishterë mbi natyrën hyjnore e njerëzore të Krishtit. “Të kundrosh misterin e Krishtlindjes
e të Zotit të bërë njeri – tha akoma Benedikti XVI – do të thotë t’i përvetësosh ndjenjat
e tij, mendimet e tij, veprat e tij, të tregosh haptazi gëzimin që kjo lindja ka sjell
në jetën personale, e ta bësh vetveten bartës të gëzimit e të risisë së Krishtlindjes.