2012-01-04 16:31:02

Në primaret amerikane në Iowa, Romney fiton për pak vota më shumë se Santorum


Në SHBA-të, Mitt Romney fitoi etapën e parë të garës republikane për në Shtëpinë e Bardhë. Në zgjedhjet paraprake të partisë në Ioua - shteti i parë ku dje u zhvilluan primaret – ish-guvernatori i Masaçusets mori vetëm 8 vota më shumë se ish-senatori i Pensilvanisë, Rick Santorum. Gjithsesi, Romney është gjithnjë e më i favorizuar si kandidat kundërshtar i Barak Obamës, për zgjedhjet presidenciale të 6 nëntorit. Komentojmë rezultatin e Iouas me amerikanistin e Universitetit të Gjenovës në Itali, prof. Ferdinando Fasce:
Kjo është një e dhënë interesante, pasi konfirmon kërkimin e vështirë të një kandidati të pranueshëm për të gjithë republikanët. Njëkohësisht, tregon ndeshjen ndërmjet njërit krah, atij të Romney-t, i cili përpiqet të arrijë qendrën, edhe pjesërisht, dhe krahut më konservator, që është ai i Rick Santorum.
Rick Santorum katolik, Romney mormon, rëndësia e votave të ungjillorëve… Feja është gjithnjë në plan të parë në zgjedhjet amerikane?
Sigurisht feja është në qendër të krejt jetës amerikane, prandaj edhe në qendër të politikës, siç ka qenë fuqishëm gjatë 30-40 vjetëve të fundit. Në këtë rast, nuk duhet të harrojmë se për Romeny-n, një nga problemet është pikërisht feja e tij e veçantë, feja mormone, mjaft e theksuar. Problemi tjetër është se ai vjen nga bota e financës, prandaj mund të jetë viktimë e ndonjë fushate negative, që e sheh si njërin nga përgjegjësit e gjendjes së sotme financiare.
Ekonomia mbetet tema mbizotëruese e këtyre zgjedhjeve…
Pa dyshim që po. Edhe gazeta e sotme “Neë York Times” fliste për fushatë zgjedhore, që ka parasysh vendet e punës. Duhet parë si do të shkojë ekonomia gjatë këtij viti e ky ka mundësi të jetë elementi vendimtar.







All the contents on this site are copyrighted ©.