2012-01-04 15:02:46

Kosovë-Serbi: pritet të vazhdojë dialogu teknik


Bisedimet teknike Kosovë-Serbi, në Bruksel, pritet të vazhdojnë këtë janar, pas tetë raundeve të zhvilluara gjatë vitit 2011, duke filluar nga 8 marsi.
Vazhdimin e bisedimeve, ndërkohë që pritet caktimi i datës, e kanë paralajmëruar udhëheqësit e delegacioneve të Kosovës e të Serbisë, në deklarata për media, sipas të cilave, në raundin e nëntë do të diskutohen çështjet që tashmë janë në agjendë; bashkëpunimi rajonal, energjia dhe telekomunikacioni.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në mbledhjen e fundvitit të qeverisë, deklaroi se "ne do të vazhdojmë të jemi të përgjegjshëm në angazhimet edhe të vitit 2012, në mënyrë që të zgjidhet çështjet teknike që janë në program, me lehtësimin dhe prezencën e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së. Ne do të punojmë me përgjegjësitë më të larta që të arrijmë deri tek zgjidhjet e pranueshme teknike, jashtë ndikimeve politike, e të modelit evropian".
Pas raundit të tetë, në komunikatën e qeverisë kosovare, më 3 dhjetor, theksohej se "për marrëveshjet e bashkëpunimit rajonal, energjisë dhe telekomunikacionit, si dhe në përcjellje të zbatimit të marrëveshjeve të arritura në dialogun teknik, konsultimet e delegacionit të Kosovës me ndërmjetësit e BE-se do të vazhdojnë në ditët në vijim".







All the contents on this site are copyrighted ©.