2012-01-04 16:29:13

Gjatë audiencës së përgjithshme Papa foli për kremtimet e Krishtlindjes, për atë shkëmbim mahnitës e të madhërishëm ndërmjet hyjnores e njerëzores.


Të përhapen në mbarë botën drita dhe gëzimi i Lindjes së Krishtit: kjo ishte ftesa, që Benedikti XVI u drejtoi më se 7 mijë shtegtarëve e besimtarëve, të pranishëm në audiencën e parë të vitit 2012, mbajtur në Sallën e Palit VI, në Vatikan.
Krishtlindja kremton faktin historik të lindjes së Jezusit në Betlehem, kujtoi Papa, e është festa në të cilën Zoti i dëfton njeriut dinjitetin e tij më të thellë, dinjitetin e Birit të Hyjit.
Nga njëra anë fshehja e Hyjit pas përvujtërisë së natyrës njerëzore, në Foshnjën e Betlehemit; nga ana tjetër, dëftimi përmes mishërimit: dy realitete, që i shohim qartë në dy solemnitete: atë të Krishtlindjes e atë të Dëftimit të Zotit. Këtë nënvizoi Papa në audiencën e parë të përgjithshme të vitit të ri. Festa e Dëftimit të Zotit, që do ta kremtojmë të premten e ardhshme, na kujton adhurimin e tre Mbretërve Dijetarë, e, me që është dëftim, edhe Pagëzimin e Jezusit e Dasmën e Kanës. Benedikti XVI e vuri theksin mbi dy aspekte, të dy festave të mëdha: mbi gëzimin e dritën.
Gëzim e mahnitje burojnë vetvetiu nga kundrimi i fytyrës së kësaj Foshnjeje të përvuajtur, sepse e dimë që është Fytyra e Hyjit, e pranishme përgjithmonë në zemrën e njerëzimit; fytyra e Zotit të ardhur për ne, që jeton me ne:
“Krishtlindja është gëzim, sepse, më në fund, shikojmë me sytë tanë e jemi të sigurtë se Zoti është e mira e pambaruar, se është e vërteta, që ulet tek njeriu, për ta lartuar kah Vetja: Hyji bëhet, kështu, i afërt, që të mund ta shikojmë e ta prekim”.
Teologjia dhe përshpirtëria e Krishtlindjes flasin për një shkëmbin mahnitës ndërmjet natyrës hyjnore e asaj njerëzore: Hyji bëhet njeri, merr natyrën tonë, lind si ne, duke i dëftuar, kështu, njeriut, dinjitetin e tij më të thellë: atë të birit të Zotit:
“E kështu ëndrra e njerëzimit, nisur në Parajsë – duam të jemi si Zoti – realizohet në një mënyrë krejt të papritur, jo për shkak të madhështisë së njeriut, që nuk mund të bëhet Zot, por për shkak të përvujtërisë së Zotit, që zbret nga qielli e hyn në ne, me përvujtërinë e vet e na larton në madhështinë e vërtetë të qenies së Vet”.
Është një shkëmbim, tejet i prekshëm në Eukaristi. Ftesa e Izaisë profet: “Ngrehu, shkëlqe, se po vjen drita jote; në dritën tënde do të ecin popujt, e mbretërit, në vezullimin e shkëlqimit tënd”…”, i drejtohet Kishës, por edhe secilit nga ne, kujtoi Benedikti XVI. E është ftesë për t’u bërë gjithnjë më të vetëdijshëm në misionin për ta përhapur dritën e re të Ungjillit:
Ungjilli është dritë, që nuk duhet fshehur. Duhet vënë lart e më lart. Kisha nuk është dritë, por merr dritën e Krishtit. E merr, për të qenë e ndriçuar e për ta përhapur, me gjithë shkëlqimin e saj. E kjo duhet të ndodhë edhe në jetën tonë personale”.
Edhe sot, drita e Krishtit e davarit errësirën e botës, kujtoi Benedikti XVI:
“Të kremtosh Krishtlindjen do të thotë t’u tregosh të gjithëve gëzimin, risinë, dritën, që solli kjo Lindje në të gjithë jetën tonë, për të na bërë njerëz, që përhapin në botë gëzimin, risinë e vërtetë, dritën e Zotit, duke ua dhuruar edhe të tjerëve”.
Porosia kryesore e Benediktit XVI është ta kumtojmë Ungjillin e ta pranojmë në zemrat tona këtë Foshnjë, për të marrë jetë, nga jeta e Tij, për t’i bërë ndjenjat, mendimet, veprimet e Tij, ndjenjat, mendimet, veprimet tona.
Në përfundim Papa u uroi edhe një herë të gjithëve Krishtlindjen, në atmosferën e Festës që, me dritat e saj, vijon të shkëlqejë e të përhapë gëzim në të katër anët, në pritje të Solemnitetit tjetër, atij të Dëftimit të Zotit e, më pas, edhe të Pagëzimit të Tij:
“Edhe një herë, urime për një kohë Krishtlindjeje të bekuar nga prania e Zotit”.
Në përshëndetjet përfundimtare, Papa kujtoi posaçërisht ministrantët e dioqezës së Astit, të cilët i porositi ta kryejnë me dashuri shërbimin tejet të rëndësishëm në elter, gjë që u krijon kushtet të ndjehen më afër Zotit. Më pas, përshëndeti edhe Bijat e Mëshirës së Kryqit, që kremtojnë këto ditë Kapitullin e tyre të përgjithshëm, duke i siguruar se lutet që një ngjarje e tillë e rëndësishme të ngjallë në të gjithë Institutin një zell të ri apostolik.
E akoma, përshëndeti edhe grupet e Veprimit Katolik të Pompeit e të San Marcanos mbi Sarno, si dhe të rinjtë e Oratorit ndërfamullitar të Mortarës.
I pranishëm në takimin e së mërkurës, një grup besimtarësh, ardhur nga Gjermania, me famfarën e vet, që e gjallëroi sallën e audiencës, duke interpretuar Këngë Kërshndellash të traditës gjermane. E jo vetëm Sallën e Palit VI, por edhe Sheshin e Shën Pjetrit, duke mbledhur kështu rreth vetes, në përfundim të audiencës, një turmë të madhe shtegtarësh, besimtarësh e turistësh, që këto ditë nuk mungojnë në të gjitha orët e ditës. Janë aty, për të kundruar Krishtin në grazhd, në Shpellën madhështore të Betlehemit, e jo më pak, edhe Bredhin e ardhur nga Ukraina e largët, që, me vezullimet e tij ngjyra-ngjyra, vijon të përhapë gëzimin e madh të festave të fundvitit.







All the contents on this site are copyrighted ©.