2012-01-03 10:36:39

Patriku Jerusalemit Tual mbi Mesazhin e Papës për paqen: të edukohen të rinjtë e Lindjes së Mesme për të shkuar kundër rrymës.


Mesazhi i Papës për Ditën e Paqes u ndoq me vëmendje të madhe në Lindjen e Mesme që, për fat të keq, nuk gjen paqe prej 60 vjetësh. I titulluar “Të edukohen të rinjtë me frymën e drejtësisë e të paqes”, ishte në qendër të vëmendjes në homelinë, mbajtur ditën e parë të Vitit të Ri 2012, nga Fortlumturia e Tij, imzot Fuad Tval. Në një intervistë, dhënë Radios sonë, Patriku latin i Jeruzalemit nënvizon rëndësinë e të rinjve dhe shpreh besimin se bisedimet izraelito-palestineze për procesin e paqes, që nisën sot, do të jenë një hap i rëndësishëm përpara, në përpjekjen për t’i dhënë fund një herë e mirë konflikteve të të gjitha natyrave.
Përgjigje: - Besoj se ky mesazh është, si të ishte bërë për ne, për ne këtu, në Tokën Shenjte, për zonën e Lindjes së Mesme. T’i edukosh të rinjtë me frymën e drejtësisë e të paqes, është si t’u thuash të shkojnë kundër rrymës. Nuk është aspak e lehtë, sepse kemi një kulturë dhune, një kulturë që nuk të lë kurrë në paqe; e kemi edhe një situatë, e cila ndikon për keq mbi njerëzit, i bën ta humbasin fare besimin në fjalimet politike, që dëgjojnë gjatë vizitave të shumta. Fjalë! Vetëm fjalë! Por gjithsesi, e pavarësisht nga të gjitha vështirësitë, duhet shkuar kundër rrymës, e sidomos, duhet shpresuar. Ati i Shenjtë na kërkon t’i edukojmë të rinjtë me frymën e drejtësisë e të paqes. E ne duhet ta bëjmë këtë. Kemi një brezni të tërë të rinjsh, si izraelitë, ashtu edhe palestinezë, që kanë lindur e janë rritur në një mjedis, ku nuk pushon kurrë dhuna, ku njeriu merr frymë, i rrethuar me mure, ku s’ka rrugë tjetër, veçse t’i biesh murit me kokë. Kemi një brezni të tërë, që nuk e njeh akoma Varrin e Shenjtë të Krishtit, për shkak të kësaj situate politike, për shkaqe sigurie e kështu me radhë, për gjithfarë pretekstesh. E pra, të gjithë jemi të thirrur të edukojmë me frymën e paqes. Nuk është e lehtë, e dimë. Të gjitha lëvizjet e botës arabe të këtyre të rinjve, synojnë të sigurojnë më shumë paqe, më shumë drejtësi, më shumë dinjitet, më shumë punë.

Pyetje: - Lidhur me këtë, Fortlumturia Juaj, Papa është krejt i qartë, kërkon që breznitë e reja të dëgjohen e të vlerësohet ndihmesa e tyre për të mirën e përbashkët…

Përgjigje: - Po, kjo është detyrë. Lëvizjet e para, ndryshimet e para, që nisën në Veri të Afrikës, nuk patën ngjyrime politike, as ngjyrime fanatike, e as revolucionare, në kuptimin e keq të kësaj fjale; donin vetëm më shumë drejtësi, më shumë dinjitet, më shumë punë, më shumë liri ndërgjegjeje e më shumë të drejtë për të marrë frymë më lirisht, në të gjitha drejtimet.

Pyetje: - Papa flet për të drejtat e liritë themelore të njeriut, që duhen respektuar, e më pas flet edhe për të mirën e përbashkët. Ç’ shpresohet për Lindjen e Mesme?

Përgjigje: - T’i kthehemi edukimit e jemi qind për qind me Papën, sepse është i vetmi zë, si zëri i Shën Gjon Pagëzuesit, që bërtet në shkretëtirë. Jemi në shkretëtirë, ndonëse në zemër të qyteteve të mëdha, me shumë britma politikanësh e premtimesh të zbrazta politike. Prej këndej, ne vijojmë të ngrejmë zërin, së bashku me Atin e Shenjtë, ashtu si Shën Gjon Pagëzuesi, duke e ditur se nuk jemi vetëm në këto troje e se Zoti është me ne. Të ecim, pra, përpara, duke shpresuar se ky vit i ri do të jetë me të vërtetë i ri, në të në të gjitha kuptimet, edhe në kuptimin demokratik, në kuptimin e lirisë e të drejtësisë.

Pyetje: - Konkretisht, në se shikojmë konfliktin izraelito-palestinez, nuk mund të mos kujtojmë se sot dy delegacionet u takuan në Jordani. A mund ta shikojmë këtë takim si rifillimin e bisedimeve, pas amullisë, që vijon qysh nga viti 2010?

Përgjigje: - E di se sot është ky takim e ne i shoqërojmë të dy delegacionet, atë izraelit e atë palestinez, me lutjet tona e duke uruar të gjindet rrugëdalja, për të mirën e të gjithëve, për paqen e të gjithëve, për qetësinë e të gjithëve. Urojmë paqe e të mira e shpresojmë paqe e të mira! Nuk e humbasim shpresën dhe i shoqërojmë të dy delegacionet me lutjen tonë. Sot unë jam në Jordani, për t’u bërë urimet e Krishtlindjes famullive të shumta, që ndodhen në këtë vend.

Pyetje: - Prej këndej, jeni edhe fizikisht pranë këtij takimi, që mund të shënojë rifillimin, aq të dëshiruar…
Përgjigje: - Në të gjitha kuptimet jemi pranë: jemi në zemrën e situatës.







All the contents on this site are copyrighted ©.