Mesazhi i Papës për Ditën e të Sëmurit: feja është siguri për ata që vuajnë
Rëndësia e “Sakramenteve të shërimit”, siç i quan Ati i Shenjtë, janë në qendër të
Mesazhit të Benediktit XVI për Ditën Botërore të të Sëmurit, që do të kremtohet më
11 shkurt. Dokumenti u bë i njohur sot e ka për temë një frazë të marrë nga Ungjilli
sipas Lukës: “Çohu e shko: feja jote të shpëtoi!”. Të sëmurët e të vuajturit gjejnë
në fe një “spirancë të sigurtë”: i inkurajon kështu Papa, duke theksuar se ata, që
besojnë në Zotin, nuk janë kurrë vetëm. Ati i Shenjtë e përqendron vëmendjen tek të
sëmurët, por edhe tek meshtarët, që punojnë në spitale e ngushëllojnë si të shtruarit,
ashtu edhe familjarët e tyre. E thekson se, sipas shembullit të Krishtit, besimtarët
duhet të përkulen para “vuajtjeve materiale e shpirtërore të njeriut, për t’i shëruar
ato”. Më pas, Papa ndalet në “Sakramentet e shërimit”, siç i quan, pra në Sakramentin
e Pendesës e të Pajtimit dhe në atë të Vajimit të të Sëmurëve, që plotësohen me Kungimin
Eukaristik. Këto sakramente vënë në dukje lidhjen ndërmjet shëndetit fizik e përtëritjes
së shpirtit, vazhdon Benedikti XVI. Të sëmurët që i luten Zotit, janë të sigurtë
se dashuria e Tij nuk i braktis kurrë e po kështu, edhe dashuria e Kishës për ta.
Në Sakramentin e Pendimit, që Papa e quan “ilaçi i Rrëfimit”, mëkati nuk kthehet në
dëshpërim, por takon Dashurinë Hyjnore, që e fal dhe e shndërron. Prandaj, vuajtja
e sëmundjes, nga dëshpërim mund të shndërrohet në një çast hiri të veçantë hyjnor,
për t’u kthyer në rrugë të drejtë, ashtu si djali plangprishës i Ungjillit. Benedikti
XVI uron të vlerësohet më shumë edhe Sakramenti i Vajimit të të Sëmurëve, i cili,
shkruan ai, nuk duhet konsideruar më pak i rëndësishëm se të tjerët. Përkundrazi,
ky Sakrament meriton më shumë si në fushën e reflektimit teologjik, ashtu edhe në
atë të veprimtarisë baritore për të sëmurët. Në Mesazh, Papa vë gjithashtu theksin
mbi rëndësinë e Eukaristisë. Kur Kungimi i Shenjtë merret në periudhën e sëmundjes,
kontribuon veçanërisht që i sëmuri të marrë pjesë në mundimet e Jezu Krishtit për
shëlbimin e të gjithëve. Në fund, Benedikti XVI u bën thirrje bashkësive kishtare
e famullive, të tregojnë kujdes të veçantë për t’u siguruar të sëmurëve e të moshuarve
mundësinë e Kungimit.