2012-01-03 12:43:45

2012-a, Vit i plakjes aktive e i solidaritetit ndërmjet brezave


“Të promovohet një ide e re për të moshuarit”. Me këtë frymë, Bashkimi Evropian e ka shpallur 2012-ën, Vit të plakjes aktive dhe të solidaritetit ndërmjet brezave. Mbi kuptimin e kësaj iniciative, intervistuam presidentin e Shoqatës italiane Auser, e cila merret me promovimin shoqëror të të moshuarve:
Të nxisim krijimin e një ideje të ndryshme e pozitive për të moshuarit, sepse ideja ekzistuese është e gabuar, njerëzit mendojnë se të moshuarit janë vetëm peshë e rëndë për shoqërinë, duhen vetëm ndihmuar, por tani plakja vjen shpesh në mënyrë aktive. Ky është sukses për shoqërinë dhe i hap bashkësisë njerëzore mundësi të mëdha.
Ç’është plakja aktive?
Është praktikë, që nis nga mënyra e jetesës, nga parandalimi e shkon pastaj drejt fazës së punës, drejt mundësisë për të planifikuar një të ardhme të re, për të qenë të dobishëm për bashkësinë, për t’u ndjerë pjesë aktive e saj.
Ç’do të thotë solidaritet ndërmjet brezave?
Normalisht, lidhej me idenë: ai që punon, paguan pensionet e të moshuarve, kur vjen koha. Sot, gjendja ka ndryshuar thellësisht. Ne mendojmë se marrëdhëniet ndërmjet brezave nuk duhet të ndërtohen vetëm mbi solidaritetin, por edhe mbi mundësitë e ndërsjellta. Të ndërtosh një ekonomi të vëmendshme ndaj shoqërisë, të bësh veprimtari të ndryshme për bashkësinë ku jeton, të jesh vullnetar civil, etj… do të thotë t’u ofrosh mundësi edhe të rinjve. Ideja e re konsiston në krijimin e marrëdhënieve ndërmjet brezave, që bazohen mbi solidaritetin e mbi mundësitë dypalëshe, për të rinjtë e për të moshuarit.
Ç’mund të bëjë një person i moshuar për shoqërinë?
Veprimtaritë e të moshuarve janë të shumta, jo vetëm brenda bërthamës familjare, por edhe jashtë familjes. Për shembull, ndihma për ata që jetojnë vetëm e nuk mund të lëvizin, të cilëve u çojnë ushqime e ilaçe në shtëpi, i shoqërojnë në vizitat mjekësore… E kemi një aspekt tjetër, ndoshta më pak të njohur, që ka të bëjë me impenjimin qytetar të të moshuarve për vlerësimin e pasurisë së përbashkët: prania në muze, në biblioteka, në lulishte… Pa vullnetarët e moshuar, shumë veprimtari nuk do të mund të zhvilloheshin.







All the contents on this site are copyrighted ©.