‘Hirëplote’ emri më i bukur i Marisë, Nënës së Zotit
Virgjëra Mari jo vetëm që nuk bëri asnjë mëkat, por u ruajt edhe nga mëkati i rrjedhshëm,
trashëgimi e përbashkët e gjithë gjinisë njerëzore”, pikërisht sepse Zoti i kishte
caktuar misionin të ishte Nëna e Shëlbuesit. Këtë e përmban e vërteta e fesë që flet
për të Papërlyerën, duke pohuar se fjala ‘Hirplote’- në origjinalin grek kecharitoméne
– është emri më i bukur i Marisë, emër që ia ngjiti vetë Zoti. E kjo tregon se Maria
është gjithnjë e përgjithmonë e dashura e zgjedhur për të pranuar dhuratën më të çmuar,
Jezusin, “dashurinë e mishëruar të Hyjit. Mund të na lindë pyetja: pse ndërmjet
të gjitha grave, Hyji zgjodhi pikërisht Marinë e Nazaretit si Nënë për Birin e tij
të vetëm? Përgjigja e kësaj pyetjeje fshihet në misterin e pamatshëm të vullnetit
hyjnor, por edhe Ungjilli vë në dukje një arsye të kësaj zgjedhjeje: përvujtërinë
e Marisë. Në ‘Komedinë Hyjnore’ të Dante Aligerit, pikërisht në Këngën e fundit
të Parajsës, shkruhet: “Virgjër e Nënë, ti bija e tënd Biri, / ti e përvujtë e e lartë
përmbi krijesat të tëra/…E vetë Virgjëra, në ‘Magnificat’ ‘Madhërim’, thotë: “Shpirti
im madhëron Zotin… sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë”. E Zotin
e tërhoqi pikërisht përvujtëria e Marisë, që gjeti hir para syve të tij: U bë kështu
Nëna e Hyjit, figurë e model i Kishës, e zgjedhur ndër popuj për të marrë bekimin
e Zotit e për ta përhapur mbi gjithë familjen njerëzore. Maria e pranoi Jezusin
me fe e ia dhuroi botës me dashuri: Kjo është edhe thirrja jonë e misioni ynë,
thirrja e misioni i Kishës: ta pranojmë Krishtin në jetën tonë e t’ia japim botës,
që bota të shëlbohet përmes Tij. Besimtarët duhet ta shikojnë festën e Marisë,
Nënës së Zotit si një fanar që ndriçon rrugët e panjohura të Vitit të Ri, si shenjë
të ndritur e të sigurt shprese e ngushëllimi për popullin e Zotit në shtegtim.