2012-01-02 15:08:25

Shtegtimi i Papës në Meksikë e në Kubë: episkopatet vendase botojnë programin e vizitës.


Konferencat ipeshkvnore të Meksikës dhe të Kubës, botuan dje programin e shtegtimit apostolik të Papës në të dy vendet, nga 23 deri më 28 marsin e ardhshëm. Do të jetë shtegtimi i 23-të apostolik ndërkombëtar. Njoftimin e dha vetë Papa, më 12 dhjetorin e kaluar, gjatë Meshës për Amerikën Latine, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan.

Meksika e Kuba e presin me gëzim të madh Benediktin XVI. Papa, njofton një notë zyrtare e episkopatit meksikan, do të arrijë pasditen e 23 marsit në aeroportin e León, në shtetin e Guanajuato-s, në veri të Meksikës. Këtu do të mbahet ceremonia e mirëseardhjes, në praninë e presidentit Felipe Kalderon. Kujtojmë se motua e kryedioqezës së León për këtë shtegtim kaq të pritur, është: “Contigo en la fe disci’pulos de Cristo’, “Me ty në fe, dishepuj të Krishtit”.
Më pas Ati i Shenjtë do të shkojë në selinë “Colegio Miraflores”, ku do të banojë gjatë gjithë vizitës në Meksikë.
Të shtunën, më 24 mars, pasi t’i bëjë një vizitë mirësjelljeje presidentit të Republikës, Papa do të përshëndesë e do të bekojë fëmijët meksikanë, mbledhur në “Plaza de la Paz”, në qytetin e Guanajuato-s.
Çasti kulmor i gjithë shtegtimit, do të jetë Mesha Shenjte, paraditen e së dielës, 25 mars, në parkun “Dyqindvjetori i León”. Pasdite, në katedralen e qytetit, Benedikti XVI do të kremtojë Mbrëmësoret, së bashku me ipeshkvijtë meksikanë dhe me një delegacion prelatësh latino-amerikanë e karaibikë.

Të nesërmen, Ati i Shenjtë do të niset për në Kubë. Në tokën kubane, e pikërisht në Santiago de Cuba, do të pritet nga presidenti Raul Kastro, të cilit do t’i bëjë një vizitë në Palacio de la Revolucion. Më pas, do të shkojë në qendrën e kryeipeshkvnisë.
Pasdite, në festën e Lajmërimit të Zojës, Benedikti XVI do të kremtojë një Meshë të madhe, në Sheshin e Revolucionit “Antonio Maceo”.
Paraditen e 27 marsit do të shkojë për një vizitë private në Shenjtëroren e Zojës së Dashurisë së krishterë të Kobres, për t’u gjunjëzuar para figures të Pajtores së Ishullit, që nderohet nga të gjithë kubanët. Më pas, me avion, do të shtegtojë drejt Havanës, ku do të pritet nga kryeipeshkvi i qytetit, kardinali Jaime Ortega Alamino.
Pasdite, bisedimet zyrtare me presidentin kuban, Raul Kastro e, së fundi, takimi me ipeshkvijtë kubanë, në nunciaturë.
Më 28 mars, dita e fundit e shtegtimit, Papa do të kryesojë Meshën në Sheshin e Revolucionit “José Marti” të Havanës, ndërsa pasdite do të jetë në aeroport, për të nisur kthimin drejt Romës.
Gjatë gjashtë ditëve të këtij shtegtimi, Papa do të përshkojë 22. 000 kilometra, ndërsa vetëm 19 ditë më pas, do të kremtojë 85-vjetorin e ditëlindjes. Gjatë shtegtimit, Papa do të mbajë 10 fjalime e do të kremtojë të paktën tri meshë, me pjesëmarrje masive popullore, në këto vise ku katolikët përbëjnë shumicën e popullsisë.

“E presim Atin e Shenjtë, që do të vijë si shtegtar i dashurisë së krishterë, me shumë gëzim, shpresë e devocion”, shkruajnë prelatët e Konferencës ipeshkvnore katolike të Kubës (Cocc) në një notë, nënshkruar nga zëdhënësi, imzot Hosé Feliks Pérez, 14 vjet pas vizitës së Gjon Palit II në ishull. Papa, shtohet në notë, njoftoi se dëshiron të vijë në vendin tonë, për të kremtuar së bashku me kubanët Vitin jubilar marian, me rastin e 400-vjetorit të gjetjes së ikonës së Zojës së Dashurisë së krishterë, pajtore e Ishullit, që pikërisht në këtë periudhë po shtegton, gjithashtu, kryq e tërthor vendit.
Njëkohësisht, 6 milionë meksikanë, që shtegtuan në Shenjtëroren e Zojës së Guadalupoes, në ditën kushtuar Pajtores së tyre kombëtare, shpërthyen në një britmë të fuqishme gëzimi, kur u dha lajmi zyrtar për vizitën papnore. Ishte një nga brohoritë më të fuqishme, që është dëgjuar ndonjëherë këtu, për shkak të numrit të jashtëzakonshëm të shtegtarëve. Në Kontinentin, ku jeton 46% e katolikëve të Planetit, Benedikti XVI ka shkelur më 2007, me rastin e Konferencës V të Episkopatit Latinoamerikan e Karaibik (Celam) të Aparesidës, kremtuar në Brazil.







All the contents on this site are copyrighted ©.