2012-01-02 12:33:40

OKB-ja e shpall 2012-ën, vit ndërkombëtar të energjisë së pastër për të gjithë


Rëndësia e energjisë dhe e burimeve të saj për vendet në zhvillim do të jetë tema kryesore e veprimtarisë së OKB-së gjatë vitit 2012. Vërtet, Kombet e Bashkuara kanë shpallur “Vitin ndërkombëtar të energjisë së pastër për të gjithë”, me qëllim që vëmendja e bashkësisë ndërkombëtare të përqendrohet në atë popullsi prej një miliard e gjysëm personash, që jetojnë pa elektricitet në botë. Kujtojmë se ndër ta, bëjnë pjesë shpesh edhe shqiptarët, sidomos gjatë dimrit. Është një kufizim jo i paktë për zhvillimin njerëzor, siç thekson në mikrofonin tonë, klimatologu italian, Vinçenco Ferrara:
Me energji të pastër kuptojmë atë energji, përdorimi i së cilës nuk i konsumon burimet natyrore. Ajo përdoret pa e harxhuar kot, me maksimumin e efikasitetit e në mënyrë që ta kenë të gjithë, sidomos popujt më të varfër.
Pse i kushtohet kësaj energjie, viti 2012?
Duhet të kemi parasysh se pavarësisht se Prodhimi Botëror Brut është rritur, gjatë viteve të fundit janë shtuar edhe ndryshimet ndërmjet të pasurve e të varfërve, është shtuar varfëria e sëmundjet si SIDA, sidomos në vendet në zhvillim, është rritur vdekshmëria foshnjore… Prandaj, për këto vende është themelore të kenë energji, e cila ndihmon si zhvillimin, ashtu edhe mirëqënien fizike të shoqërive e të personave. E të gjitha vendet duhet ta përdorin si duhet energjinë, sepse nëse ndonjëri konsumon pa respektuar ambientin, ndot planetin e nuk u lejon të tjerëve të zhvillohen.
Ç’mund të bëjmë në fushën e energjive, që respektojnë ambientin?
Energjia, që respekton ambientin, duhet të përdorë sidomos teknologjitë e reja, që, përmes materialeve si nanomaterialet, mundësojnë harxhime të pakta energjitike dhe rendiment të lartë. Duhet të mos varemi më nga lëndët djegëse fosile, duke shkuar drejt përdorimit të energjive të rinovueshme, që nuk konsumojnë pasuritë e planetit. Siç është treguar nga studimet, këto energji mund ta zëvendësojnë me 90% naftën.








All the contents on this site are copyrighted ©.