2012-01-02 18:55:55

Janë 2 miliardë të krishterët në botë: pakësohen në Evropë, shtohen në Amerikë, Azi e Afrikë.


Në njëqind vjetët e fundit numri i të krishterëve në botë nuk ka ndryshuar përsa i përket përqindjes së popullsisë, por ka ndryshuar mjaft përsa i përket përhapjes. Pakësohet ndjeshëm numri në Evropë, ndërsa në Azi kalohet nga 4% , në 13% e në Afrikë, nga 2% në 23%. Edhe në Amerikën e Veriut e të Jugut, regjistrohet rritja e numrit të të krishterëve me 10%. Këto janë të dhënat statitistikore, botuar në Raportin e fundit të Pew Forum, mbi krishterimin, rimarrë edhe nga shtypi i ditëve të fundit të vitit 2011.
Për të kaluar nga shifrat, tek realiteti konkret, që fshihet pas tyre, intervistuam profesor Xhandomeniko Romanato-n, pedagog i historisë bashkëkohore dhe i historisë së Kishës, në Universitetin e Padovës:

Përgjigje: - ‘900-ta ishte shekull i revolucioneve e i rishpërndarjes së jashtëzakonshme të popullsisë; shekulli i kolonializmit, i fundit të kolonializmit dhe i pas-kolonializmit. Ishte shekulli i perëndimit të Evropës dhe i kalimit të rolit hegjemon të Kontinetit të vjetër, në Amerikën veriore. Shekulli, në të cilin historia ndryshoi rrënjësisht e rrufeshëm. Prandaj mund të themi se në këtë situatë ndodhemi edhe para një rishpërndarjeje të popullsisë katolike e cila më parë përbënte shumicën në Evropë, sot, në vendet jashtevropiane. E nuk është aspak e çuditshme, përkundrazi…

Pyetje: - A mund të reflektojmë, pra, duke e parë shekullin e kaluar me ndryshimet, që ju i përmendet, por duke shikuar edhe përpara?

Përgjigje: - Sot, në Evropë, po pakësohet jo vetëm popullsia katolike, por edhe vetë feja. E Papa nuk lodhet kurrë s’e përsërituri këtë fakt. Por ndërkaq popullsia katolike e, ka shumë mundësi, edhe feja, vijojnë të rriten në Azi, në Afrikë, në Amerikën Latine, pra, në kontinentet e reja. E kjo duhet të na nxisë ta shikojmë me shpresë ardhmërinë e Kishës, ndonëse mbetet problemi i madh, ndoshta edhe drama, e perëndimit të krishterimit tradicional të Evropës. Katolicizmi nuk lindi në Evropë, por u konsolidua në Evropën plakë, nga Roma e përtej. Ky perëndim i Kishës në Evropë, na shtyn të bëjmë një reflektim të zymtë, ndonëse nuk duhet të mendojmë kurrë se kemi të bëjmë me perëndim përfundimtar, duke pasur parasysh se gjetiu Kisha po rritet me shpejtësi të rrufeshme. E këtu kam parasysh kryesisht Lindjen e Largët aziatike.

Pyetje: - Syri i Kishës përfshin mbarë familjen njerëzore e, në këtë këndvështrim, duhet kujtuar se përqindja e të krishterëve, në krahasim me popullsinë botërore, ka mbetur ajo që ishte…

Përgjigje: - Përqindja ka mbetur ajo që ishte, gjë që na bën të mendojmë për qëndrueshmërinë e madhe të krishterimit në kohët tona. Përballë rritjes së vrullshme të popullsisë, sidomos në shekullin e fundit e në dhjetëvjeçarët e fundit e edhe përballë rishpërndarjes së pushtetit në botë, kristianizmi ka ditur të ripozicionohet: në këndvështrimin sasior e edhe në këndvështrimin e ndikimit në botë, duke iu përshtatur me aftësi të rralla, situatave të reja. Kjo duhet të na nxisë të rimendojmë edhe për papninë e Palit VI, i cili arriti ta parashikojë, besoj më mirë sesa papët e tjerë të ‘900-ës, këtë situatë të re. E Pali VI, të mos harrojmë, është i pari, që hapi stinën e shtegtimeve të mëdha jashtevropiane nga ana e papëve; i pari, që përtëriu episkopatin e edhe kolegjin kardinalor, duke i hapur, kështu, dyert e Kishës për hyrjen e realiteteve të reja. Është një Kishë, që duket se, ndoshta edhe para politikës, e nuhati të renë, diti ta përballonte, ta bënte të veten, të rinohej. E frytet po shihen.

Pyetje: - Një reflektim për Lindjen e Mesme: atje, në tokën e Jezusit, të krishterët bëhen gjithnjë më paktë…

Përgjigje: - Ky është reflektim tejet i trishtueshëm. Kushtet e rrezikshme, në të cilat jetojnë të krishterët në të gjitha vendet e Lindjes së Mesme të shqetësojnë vërtet e edhe të trishtojnë. Por, edhe këtu, problemi duhet parë në një këndvështrim më të gjërë: është në zhvillim e sipër një revolucion e një ndryshim i ekuilibrit politik në Lindjen e Mesme, prej nga lind shpresa se dramat e sotme, janë vetëm një çast kalimtar drejt një situate më të ekuilibruar e, ndoshta edhe - siç shpresohet- më të sigurtë për të krishterët e këtyre vendeve.

Pyetje: - Mbi të gjitha; mbi të dhënat; mbi historinë, që kalon; mbi kohën, që shket e shkon, mbeten gjithnjë të gjalla fjalët e Jezusit: “Ju duhet të jeni tharmi i botës”…

Përgjigje: - Sot krishterimi është tharmi i botës, i të gjithë botës. Ishte tharm për Evropën gjatë 18 shekujve, ndërsa në dy shekujt e fundit u bë tharm jo vetëm për Kontinentin e vjetër, por edhe për mbarë botën. Prandaj, besoj se po bëhet realitet fjala, që foli Jezusi dymijë vjet më parë. Sot krishterimi, në përgjithësi, e katolicizmi, në veçanti, janë fenomen botëror, ndërsa deri njëqind vjet më parë, por ndoshta edhe më pak, ishin fenomen gati-gati vetëm evropian.









All the contents on this site are copyrighted ©.