2012-01-01 15:28:09

Papa i lutet Zotit t’i japë bekimin mbarë njerëzimit. Detyrë e ngutshme, edukimi i të rinjve me frymën e drejtësisë e të paqes.


Papa i lutet Zotit ta bekojë mbarë botën. Në Meshën e fillimit të vitit, kryesuar në Bazilikën e Shën Pjetrit për Solemnitetin e Nënës së Shenjtnueshme të Zotit dhe Ditën e 45-të Botërore të Paqes, uron që mbarë njerëzimi ta pranojë Krishtin, sepse Ai është paqja e vërtetë.RealAudioMP3

Njerëzimi kërkon paqen, dëshiron drejtësinë, ëndërron dashurinë. Papa tregon rrugën: t’i kthejmë sytë kah Maria, Nëna e Zotit, është ajo, që na sjell bekimin. Është ajo, gruaja, që e pranoi Jezusin në korpin e vet dhe e nxori në dritë, duke ia dhuruar të gjithë familjes njerëzore, si bekim i vërtetë për mbarë botën:
“Ashtu si Maria, Kisha është ndërmjetëse e bekimit të Zotit për botën: e merr këtë bekim, duke e pranuar Jezusin dhe e përcjell, duke e mbajtur Jezusin. Është Ai mëshira e paqja, që bota nuk mund të na i japë, e për të cilat ka nevojë, më shumë se për bukën e përditshme”.
“Të edukohen të rinjtë me frymën e drejtësisë e të paqes”, është tema e mesazhit të Papës për Ditën e 45-të Botërore të Paqes. Bëhet fjalë për një detyrë, që u përket të gjithëve, pohon Benedikti XVI, e familja njerëzore, pas dy luftërave botërore, tregon se po bëhet gjithnjë më e vetëdijshme. Por të edukosh sot, është sfidë me rëndësi vendimtare:
“Në radhë të parë, sepse në epokën aktuale, të ndikuar fuqimisht nga mendësia teknologjike, të edukosh, e jo vetëm të arsesh, nuk është diçka që dihet e duhet, por që zgjidhet; së dyti, sepse kultura relativiste na vë përpara një problemi të vështirë: ka kuptim akoma të edukosh? e pastaj, të edukosh me se?”.
Prej këndej, Papa shton:
“Përballë hijeve, që errësojnë sot horizontin e botës, të marrësh mbi vete përgjegjësinë për t’i edukuar të rinjtë me vetëdijen e së vërtertës, me vlerat themelore të jetës, me virtytet intelektuale, teologale, morale, do të thotë ta shikosh ardhmërinë plot shpresë”.
Të rinjtë sot, më shumë se kurrë, nënvizon Papa, duhet të mësojnë vlerën e metodës së bashkëjetesës paqësore, të respektit reciprok, të dialogut e të mirëkuptimit:
Të rinjtë, për vetë natyrën e tyre, janë të prirur për sjellje të tilla, por pikërisht realiteti shoqëror, në të cilin rriten, mund t’i shtyjë të mendojnë e të veprojnë në mënyrë krejt të kundërt, intolerante e të dhunshme. Vetëm një edukim i shëndoshë i ndërgjegjes së tyre, mund t’i shpëtojë nga këto rreziqe e t’i bëjë të aftë për të luftuar gjithnjë, e vetëm, duke u mbështetur në forcën e vërtetësisë e të mirësisë”.
Papa kujtoi edhe përgjegjësinë që kanë për edukimin e të rinjve, familja, shkolla e edhe fetë, të cilat e kanë për detyrë t’u mësojnë vazhdimisht fëmijëve se “Zoti është dashuri, është i drejtë e paqësor”:
Duhen ndihmuar fëmijët, adoleshentët e të rinjtë të krijojnë një personalitet të pasur me ndjenjën e thellë të drejtësisë e të respektit për tjetrin, me aftësinë për t’i përballuar konfliktet pa prepotencë, me forcën shpirtërore për të dëshmuar të mirën, edhe kur kushton shtrenjt, me faljen e pajtimin. Kështu mund të bëhen burra e gra vërtetë paqësorë e të sigurojnë paqen”.
Në Jezusin, “dashuri e vërtetësi”, përfundoi Papa, “drejtësia e paqja” takohen e merren ngrykë:“Jezusi është rruga, në të cilën mund të ecet. Rrugë e hapur për të gjithë, rruga e paqes. Sot Virgjëra Nënë na e dëfton. Zoja na tregon rrugën: ta ndjekim! E Ti, Nëna Shenjte e Zotit, na shoqëro me mbrotjen tënde. Amen”.







All the contents on this site are copyrighted ©.