2012-01-01 17:19:42

Goditje me mortajë mbi Izraelin; atë Picabala: paqe e vështirë për bashkësitë e krishtera.


Për vitin 2012, që sapo filloi, Bashkësia Ndërkombëtare shikon me shpresë procesin e paqes në Lindjen e Mesme, e posaçërisht, marrëdhëniet ndërmjet izraelitëve e palestinezëve, sukseset e pranverës arabe në Egjipt e në Siri, e, sidomos, situatën në të cilën jetojnë e do të jetojnë bashkësitë e krishtera në këto zona të vështira. Shpresë, që u trondit sot paradite nga të shtënat me mortajë, nisur nga Gaza, në drejtim të territorit izraelit, fatmirësisht, pa viktima. Ndërsa mbrëmë, në Rripin e Gazës, ushtarët izraelitë plagosën një palestinez, sepse nuk iu bind urdhërit për t’u larguar nga vija e kufirit. Për shpresat e paqes në këtë zonë, të dashur për gjithë të krishterët e botës, në mikrofonin tonë, atë Pierbatista Picabala, rojtar i Tokës Shenjte:

Përgjigje: - Besoj se është e vështirë të shpresojmë për një paqe të menjëhershme. Duke e parë me realizëm të krishterë situatën, është e natyrshme të pohosh se mbarë Lindja e Mesme vijon të përshkohet nga tensioni. Kjo gjendje është edhe pasojë e të ashtuquajturës pranverë arabe, që po trondit jetën shoqërore të të gjithë Lindjes së Mesme. Mendoj se, me gjithë këto ndryshime, duhet të kalojë akoma shumë kohë, para se të sigurohet stabiliteti e, prej këndej, edhe paqja.

Pyetje: - Është e mundur, së paku, të shpresosh për rifillimin e dialogut ndërmjet izraelitëve e palestinezëve?

Përgjigje: - Ndoshta do të ketë më shumë dialog ndërmjet fraksioneve të ndryshme palestineze; ndërsa, në këto çaste, ndërmjet palestinezëve e izraelitëve, kjo më duket e vështirë, sepse nuk shikoj nisma konkrete, që ngjallin shpresa për ndonjë ndryshim të papritur.

Pyetje: - Cila është nyja kryesore, që duhet zgjidhur?

Përgjigje: - Të gjitha nyjat janë diskutuar: refugjatët, vendbanimet, Jeruzalemi, kufijtë… tani duhet vullneti i mirë për t’i zgjidhur. E kjo, sepse të dyja palët janë plot me vuajtje, dhimbje, poshtërime, plagë, që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën e popullsive të tëra. Prej këndej, sot ndjehet një farë lodhjeje; mungon vullneti për ta ndryshuar situatën, për të bërë diçka. Duhet pritur akoma e, me sa duket, duhet punuar në të dy krahët. Duhet të punojnë njerëzit e feve e politikanët, për të gjetur, më në fund, fillin, që çon në një rrugë pozitive.

Pyetje: - Është ndaluar heksodi i të krishterëve?
Përgjigje: - Në këto çaste në Tokën Shenjte nuk ka ndonjë ikje të madhe. Njerëzit vijojnë të shkojnë, por jo në atë masë, që kemi parë vitet e kaluara, Në Lindjen e Mesme, tundimi për të ikur, sot është më i fortë në Egjipt e në Siri.







All the contents on this site are copyrighted ©.