2012-01-01 15:28:21

Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot: të rinjtë kanë nevojë të ngutshme t’u krijohen kushte të përshtatshme për jetesë.


Në mesditë Papa doli, si zakonisht, në dritaren e studios së tij private, për të kremtuar, së bashku me besimtarët e shumtë, lutjen e Engjëllit të Tënzot, në ditën e parë të Vitit të Ri 2012. Vuri në qendër të vëmendjes të rinjtë, duke theksuar se është e ngutshme t’u krijohen kushtet e përshtatshme për jetën e tyre:RealAudioMP3
Të rinjtë sot e shikojnë jo pa shqetësim të ardhmen, manifestojnë aspekte të jetës së tyre, që meritojnë vëmendje, si dëshira e marrjes së arsimit të duhur, që i përgatit në mënyrë të thellë për të përballuar realitetin, vëshirësitë për të formuar familje e për të gjetur vende pune, aftësitë e njëmendta për të dhënë ndihmesën në botën e politikës, të kulturës e të ekonomisë, për ndërtimin e një shoqërie me fytyrë më njerëzore e më solidare”.
Më pas u bëri thirrje drejtuesve të kombeve të impenjohen më shumë për paqen. Papa uroi të marrin fund luftërat, përçarjet, armiqësitë ndërmjet njerëzve, të mbretërojnë pajtimi e falja në zonat e konfliktit e të sigurohet një ndarje më e drejtë e pasurive të tokës. Mbretëresha e Paqes, iu lut Nënës së Zotit Benedikti XVI, shikoji me dashuri fëmijët, që vuajnë nga dhuna, nga lufta, nga persekutimet e që kërkojnë një botë më vëllazërore. Më pas Benedikti XVI i uroi përzemërsisht edhe Presidentit të Republikës së Italisë, Giorgio Napolitano e, përmes tij, mbarë popullit italian, paqe e përparim për vitin e sapofilluar.
Së fundi, përshëndeti të gjitha nismat kushtuar Ditës Botërore të Paqes, duke kujtuar marshimin e Breshias, organizuar nga Pax Christi, Karitasi i Romës dhe nga Bashkësia e Shën Egjidit, pa harruar edhe të rinjtë e veprës Don Orioni dhe familjet e Dashurisë Familjare, që kaluan Natën e Vitit të Ri në Sheshin e Shën Pjetrit, duke u lutur deri në të zbardhur të ditës së parë të vitit 2012.









All the contents on this site are copyrighted ©.