2011-12-31 12:48:46

Ta falënderojmë Zotin në këtë ditë të fundvitit


E bashkë me Papën Benediktin e XVI, të nderuar dëgjues, sot edhe ne ta falënderojmë Zotin nga thellësia e zemrës për të gjitha të mirat që na ka dhuruar gjatë 12 muajve që kaluam, që shtuan radhët e të rinjve të krishterë, rritën vëmendjen për vlerën e paqes, të jetës e të mbrojtjes së familjes e të ambientit, nxitën hapa domethënëse përpara në rrugën jo të lehtë të pajtimit e afrimit vëllazëror mes njerëzve, familjeve e bashkësive fetare e shoqërore.
Në këtë ditë e natë të fundvitit, lavdërimi e falënderimi drejtuar Zotit, shoqërohet edhe me një shqyrtim të sinqertë të ndërgjegjes sonë personale e asaj komunitare. Të gjithë t’i kërkojmë falje Zotit për mungesat e për fajet tona, të sigurt se Hyji, është Hyji i përdëllimit, se dashuria e Tij Hyjnore është më e madhe se fajet e mëkatet tona. Të pendohemi e të pajtohemi me Zotin e të afërmin tonë.
Në Ty shpresuam; në Ty, o Zot, do ta mbështesim rishtas shpresën tonë - ripohojmë në këtë natë feste. Ti, o Zot, në Krishtlindje i solle gëzimin botës, duke rrezatuar mbi rrugën e njerëzve e të popujve dritën tënde, të cilën s'ka forcë që mund ta shuajë. Bëj që çdo njeri vullnetmirë të provojë dashurinë e paqen tënde Hyjnore në Vitin e Ri që po fillojmë.
E siç pohon edhe kalendari, Koha kalon dhe rrjedhja e saj e pandalur na nxit t’i sjellim sytë me mirënjohje të thellë nga Hyji, që është i Amshuar, që është Zoti i kohës e i jetës.
Fjala e Mishëruar e shndërron nga brenda jetën njerëzore. Zoti u bë si ne, për të na bërë si Veten, bij në të Birin, njerëz të lirë e të liruar nga ligji i mëkatit. A nuk është kjo një arsye e fortë që na shtyn t’i lartojmë Hyjit falënderimin tonë e të kërkojmë ndihmën e Tij Hyjnore? Një falënderim që fiton vlerë të veçantë në mbarim të një viti, derisa kujtojmë ndihmën e Zotit që s’na mungoi kurrë gjatë 12 muajve të kaluar.
Ja sepse çdo bashkësi e krishterë sonte mblidhet për t’i kënduar Zotit himnin ‘Te Deum’, këngën e lavdërimit e të veprimit të hirit të të Shentjnueshmes Trini në jetën tonë njerëzore.
E duke e kënduar të lutemi:
Ndihmoi bijtë e tu, o Zot, që i shpërbleve me gjakun tënd të çmuar. Mbroji, me mëshirën tënde, banorët e qytetit tonë, në të cilin, ashtu si gjetiu, mbi jetën e njerëzve e të familjeve peshojnë rëndë mungesat e varfëria, ta shikojnë me besim ardhmërinë.
“Ti je shpresa jonë! S’ do të jemi të pështjelluar në amshim!”.
Himni madhështor ‘Te Deum’ mbyllet me këtë brohori feje e besimi të plotë në Hyjin e me këtë shpallje solemne të shpresës sonë, përmes së cilës na bën thirrje ta shikojmë shpresën tonë kryesisht si shpresë për të tjerë, për të gjithë njerëzit. T’i lutemi pra Zotit ta bëjë secilin nga ne, tharm të vërtetë shprese në mjediset e ndryshme, që të mund të ndërtohet për të gjithë një ardhmëri më e mirë. E ky është urimi ynë, për të gjithë ju dëgjues të nderuar, Natën e Vitit të Ri, urim që ia besojmë ndërmjetësisë amtare të Marisë, Nënës së Hyjit e Yllit të shpresës!.
Zotit t’ia besojmë kohën e jetën në Vitin e Ri që fillojmë
Zoti që kurorëzon këtë vit me mirësinë e Tij Hyjnore, ju pasuroftë me dhanti e të mira qiellore gjatë tërë Vitit të Ri. Urimi jonë për këtë Vit të Ri shndërrohet në lutje drejtuar Zotit që t’i bëjë të frytshme përpjekjet e mirat të të gjithëve. T’ia besojmë, pra, Atij dëshirat e planet tona dhe tërë jetën tonë. Atij t’ia lartojmë lavdet e lutjen plot besim:
Ty, o Atë i jetës, zanafillë pa fillesë, e mira e pambaruar e drita e amshuar, me Birin e me Shpirtin Shenjt nderim e lumturi, lavdi e mirënjohje në shekuj pa mbarim. Amen!
Në Ty, o Atë i jetës shpresuam dhe në Ty do ta mbështesim prapë shpresën tonë. Ti, në Krishtlindje i solle gëzimin botës, duke rrezatuar mbi rrugën e njerëzve e të popujve dritën tënde Hyjnore, të cilën s’ka forcë që mund ta shuajë.
Uroj që çdo njeri vullnetmirë ta provojë e shijojë dashurinë e paqen tënde Hyjnore, o Atë i ynë Qiellor. Amen!







All the contents on this site are copyrighted ©.