2011-12-31 17:26:13

Pas 2011-ës, shumë të pasur me ngjarje, veprimtari të reja e presin Papën në vitin 2012.


Papa kremtoi sonte ‘Te Deum’-in e falënderimit të Zotit, në Bazilikën e Vatikanit, ndërsa viti civil numëron orët e fundit. Riti tradicional i fundvitit, pasoi kremtimin e lutjeve mbrëmësore e i parapriu vizitës së Benediktit XVI tek Shpella e Betlehemit, realizuar me art në Sheshin e Shën Pjetrit. Është, simbolikisht, vizita, që Ati i Shenjtë i bën Krishtit të lindur mbi kashtë, të ngrohur vetëm nga fryma e dy kafshëve, kaut e gomarit.
Viti, që shkoi, për Papën Racinger ishte i ngarkuar me veprimtari tejet të dendura, ndërmjet të cilave, spikasin Dita Botërore e Rinisë, në Madrid; shtegtimi në Benin, takimi i madh ndëfetar i Asizit, lumnimi i Gjon Palit II dhe botimi i vëllimit II të librit kushtuar “Jezusit të Nazaretit”,
E edhe Viti i ri 2012, sipas gjasave, nuk do të ketë më pak impenjime për Papën, i cili në prillin e ardhshëm do të kremtojë 85-vjetorin e ditëlindjes.
Ndërkaq gjatë vitit 2011 Benedikti XVI ka mbajtur 400 audienca private me përfaqësues të kishave e të institucioneve të vendeve të ndryshme, ka pritur rreth 180 grupe e ka kryesuar 40 kremtime fetare publike. Sipas Prefekturës së Shtëpisë Papnore, në takimet e ndryshme me Benediktin XVI, gjatë këtij viti kanë marrë pjesë më se dy milionë e gjysëm besimtarë, në Vatikan, Romë e në Kastel Gandolfo: 400 mijë në audiencat e përgjithme; 101 mijë në audiencat e veçanta; 846 mijë në kremtimet liturgjike; 1 milion e 206 mijë në lutjet e Engjëllit të Tënzot e të Mbretëreshës Qiellore.
Gjatë shtegtimeve të sivjetme në Kroaci, Spanjë, Gjermani e Benin, Benedikti XVI ka mbajtur 60 fjalime publike.
Në vitin 2011 Papa dha sinjalin e projektit të ungjllëzimit të ri, për të cilin ngriti edhe një Kongregatë të re. Ndërsa vitin e ardhshëm, do ta shpallë “Vit të Fesë”, lidhur me kremtimet e 50-vjetorit të hapjes së Koncilit II të Vatikanit.
Ndërmjet fjalimeve më domethënëse të Papës gjatë 2011-tës, kujtojmë homelinë e 1 majit të kaluar, me rastin e Lumnimit të Papës Vojtila, si dhe fjalën e mbajtur në Bundestag, gjatë shtegtimit të tij në Gjermani. Primat i Italisë, Papa Racinger i shprehu afërsinë e tij Kishës italiane, posaçërisht duke mbyllur Kongresin eukaristik kombëtar të Ankonës.
Edhe kalendari papnor i 2012-tës është shumë i pasur. Kujtojmë shtegtimin apostolik në Kubë e Meksikë, ndoshta në marsin e ardhshëm. Në tetor, pastaj, Papa do të kryesojë sinodin e ipeshkvijve për ungjillëzimin e ri e do të shpallë fillimin e Vitit të Fesë. Ka mundësi të mbledhë edhe koncistorin për krijimin e kardinajve të rinj, ndoshta në shkurtin e ardhshëm. E flitet edhe për një shtegtim në Liban, në pranverë, për botimin e dokumentit përfundimtar të sinodit të ipeshkvijve të Lindjes së Mesme, që u mbajt në Vatikan, në vitin 2010.







All the contents on this site are copyrighted ©.