Orët e fundit, orë meditimi për të kaluarën e orë shprese për të ardhmen
Ora e fundit e çdo viti sjell me vete një hir të posaçëm Hyjnor. Ky hir i Zotit kuptohem
më mirë në mbrëmjen e 31 dhjetorit, që na bashkon sot ndër Kisha për të falënderuar
Hyjin. Kjo orë e fundit i dhurohet besimtarëve e çdonjërit prej nesh si një çast faljeje
e hiri. Duke marrë prej Zotit “hire e përmbi hire”, i afrohemi ditë pas dite, vit
pas viti, orës sonë të fundit mbi tokë, që e di vetëm Ati Qiellor. Të mbledhur
sot tok, për të ndjerë veten në bashkim me Jezu Krishtin, në përfundim të këtij viti,
akoma përplot me dritën e Krishtlindjes, drejtojmë vështrimin nga e ardhmja. Që prej
mëse 2000 vjetësh e sodisim Zotin në lavdinë e Tij, “në atë lavdi që i Njëlinduri
e marre prej Atit, plot me hir e me vërtetësi”. Ja, pra, ky është themeli i shpresës
sonë, ja pse besojmë në mënyrë të patundshme se qielli e toka do të mbarojnë, por
s’do të mbarojnë kurrë fjalët e Tij Hyjnore e jetëdhënëse. Të shkojmë, pra, pas
Krishtit. T’i kapërcejmë së bashku me të kufijtë e kalendarit, që ndajnë vitet, e
së bashku të hyjmë në Vitin e Ri, që fillon këtë mesnatë. Në këtë orë solemne,
mbarë kombet e tokës, që kanë parë shpëtimin e Hyjit tonë, bashkojnë zërat në himnin
e lavdërimit e të mirënjohjes. Jemi plot mirënjohje për kohën që Hyji na ka dhuruar,
për kohën e kaluar që perëndon e largohet...shkojmë drejt kohës së re, të ndërgjegjshëm
për forcën që na ka dhuruar Jezu Krishti në Shpirtin Shenjt Zot. Ta lavdërojmë, pra,
e ta falënderojmë Zotin dhe t’i lutemi që të ndriçojë me dritën e Tij të amshuar të
gjitha ditët e Vitit të Ri që po lind. Gëzuar Vitin e Ri plot paqe e të mira!