2011-12-31 15:57:09

Gëzuar Vitin e Ri me dritën, dashurinë, paqen e bekimin e Jezusit Zot.


Nga redaksia e programit shqip e Radio Vatikanit gjithë shqiptarëve dhe dëgjuesve të Radio Vatikanit kudo që ndodhën e kremtojmë nëpër botë Urime më të përzemërta për një mbarim të mirë të këtij viti dhe fillim të mbarë të Vitit të Ri: qoftë vit i gëzimit, i paqes, drejtësisë e begatisë.
Çdo vit sjell me vete gëzime e dhimbje, realizime e dështime, perspektiva e çështje që presin përgjigje e zgjidhje. Po sidoqoftë, ende pa e kapërcyer mirë kufirin ndërmjet dy vitesh, sot t’ia lartojmë lutjen e falënderimit Zotit për të gjitha të mirat që ka bërë për ne e për çdo çast që kemi përjetuar gjatë vitit që po përfundon. Po kështu ti lutemi të na japë forcë të vijojmë udhën e jetës në Vitin e Ri, të bindur se përmes planeve të mistershme të shtegtimit tonë tokësor, prej Zotit na vjen ngushëllimi, gëzimi e paqja dhe çdo e mirë që mund të dëshirojmë. Hyji është Ai që pret e don çdo njeri, secilin prej nesh. Në Të e kemi pikënisjen dhe cakun e jetës.
Sonte, ndërsa në orët e mesnatës së 2010-shit ia lënë vendin Vitit të Ri 2011, ndërsa njerëzit trokasin gotat për t’i uruar njëri-tjetrit një motmot të ri të gëzuar e në qiell ndizen yjet e dritat e fishekzjarrëve, Papa Benedikti XVI, në heshtje të lutjes në kapelën e tij private, do ti lutet Zotit që Viti 2011 të jetë viti i paqes, i ndërtimit të njerëzimit të vërtetë që mund të gëzojë lirinë fetare, themelin e të të gjitha të drejtave njerëzore , sikur ka shkruan në mesazhin e tij papnor për Ditën Botërore të Paqes që kremtohet pikërisht nesër, ditën e parë të vitit të ri.
Pritja e Vitit të Ri në lutje nga ana e Papës Benediktit XVI, prej shumë vitesh tashmë është bërë traditë qysh nga Gjoni XXIII e deri më sot. Kështu, në orën e qetë të mesnatës, Papa Benedikti XVI do t’i japë lamtumirën këtij viti të ngarkuar me shqetësime, me probleme, me frikë e konflikte, lufta dhe situata të vështira në Lindje të Mesme e në shumë vise e Shtete tjera të Afrikës, Azisë, Amerikës Latine e të Evropës.
Benedikti XVI është përcaktuar të veprojë e punojë për paqen në botë, pikërisht sepse e konsideron atë paralajmërim të Mbretërisë së Zotit. Papa e shikon realitetin e tanishëm të njerëzimit në Dritën e Fjalës së Zotit, duke u nisur nga fundi i të gjitha kohërave e nga ardhja e Krishtit në lavdi. Prandaj Ati i Shenjtë na fton drejt pajtimit, që sjell faljen e paqen, dhuratë e Zotit, kur i bëjmë vend në zemra, dhuratë e Atij që na ndihmon të jetojmë.







All the contents on this site are copyrighted ©.