2011-12-31 15:15:10

Dita e 45-të Botërore e Paqes: “Të edukohen të rinjtë me frymën e drejtësisë dhe të paqes”.


Ky është titulli i Mesazhit Papnor për Ditën e 45-të Botërore të Paqes. Benedikti XVI i fton të rinjtë të jenë veprimtarë të drejtësisë e të paqes, në një botë të ndërlikuar e të globalizuar. E më pas kërkon një besëlidhje të re pedagogjike të të gjitha subjekteve, që përgjigjen për edukimin e rinisë. Tema flet vetë për një etapë të re të Magjisterit të Benediktit XVI në mesazhet për kremtimin e Ditës Botërore të Paqes, të cilat i nis nën shenjën e së vërtetës (2006 “Nuk ka paqe, pa të vërtetën”) e i vijon me reflektimin për dinjitetin e njeriut (2007 “Njeriu është zemra e paqes”), për familjen (2008 “Familja njerëzore, bashkësi e paqes”), për varfërinë (2009 “Të luftojmë varfërinë, të ndërtojmë paqen); për ruajtjen e krijesës (2010 “Në se dëshiron të kultivosh paqen, ruaje krijesën”) dhe për lirinë fetare (2011 “Liria fetare, rrugë për paqen”).
E sivjet Papa u drejtohet mendjeve e zemrave të të rinjve, të cilët duhen “Edukuar me frymën e drejtësisë e të paqes”.
1. Mesazhi i Papës për Ditën e 45-të Botërore të Paqes 2012, i përbërë nga gjashtë pjesë, nis me ftesën për ta pritur vitin që vjen, me shpresa të reja, ndonëse kohët e fundit njerëzit ndjehen thellësisht të zhgënjyer, për shkak të krizës, që po trondit shoqërinë, botën e punës, ekonominë; një krizë, rrënjët e së cilës janë, mbi të gjitha, kulturore e antropologjike. Të duket sikur koha jonë e ka mbuluar kokën me një rubë të zezë, që nuk e lë ta shohë qartë dritën e ditës. Kështu shkruan Papa dhe u drejtohet posaçërisht të rinjve, i bindur se, me entuziazmin e tyre e me idealet e bukura të moshës, mund të ringjallin shpresa të reja për mbarë njerëzimin. Shqetësimet e shprehura këto kohët e fundit nga shumë të rinj, ndër zona të ndryshme të botës, nënvizon, shprehin dëshirën për ta shikuar me shpresë të sigurtë ardhmërinë. Ka rëndësi, prandaj, që përpjekjet për të mbrojtur idealet e bukura të moshës së re, të ndiqen me vëmendje nga mbarë shoqëria. Kisha, pohon Papa, i shikon të rinjtë plot shpresë, duke u dhënë zemër të kërkojnë të vërtetën e të mbrojnë të mirën e përbashkët.
2. Përgjegjësve për edukimin!
Në pjesën e dytë të mesazhit, Benedikti XVI u drejtohet njerëzve që përgjigjen për edukimin. E pohon: sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për dëshmitarë të vërtetë, e jo për shpërndarës të thjeshtë rregullash e informacionesh: dëshmitarë, që dinë të shikojnë më larg se të tjerët, sepse jetojnë me dëshirën për të pushtuar hapësira të mëdha.
Papa i nxit prindërit të mos dëshpërohen, pavarësisht nga shqetësimet për të ardhmen. Jetojmë, shkruan, në një botë, në të cilën familja, e edhe vetë jeta, kërcënohen vazhdimisht e, gjithnjë më shpesh, edhe dëmtohen rëndë. Mbi to peshojnë kushtet e punës, të cilat dendur nuk përkojnë fare me nevojat, me përgjegjësitë familjare, me shqetësimet për të ardhmen, me ritmet e ethshme të jetës. Prej këndej, Papa i fton drejtuesit e institucioneve edukative të kujdesen që çdo i ri të mund t’i zbulojë prirjet e veta. E edhe t’u krijojnë familjeve kushtet e nevojshme t’i formojnë fëmijët në përkim me ndërgjegjen dhe parimet e tyre fetare.
U drejtohet edhe udhëheqësve politikë, të cilëve u kërkon t’i ndihmojnë konkretisht familjet dhe institucionet edukative për t’i ushtruar të drejtat e për t’i kryer sa më mirë detyrat e tyre në fushën e edukimit. Më pas shton: nuk duhet të mungojë kurrë ndihma për atësinë e amësinë. E duhet bërë ç’është e mundur, që askujt të mos i mohohet e drejta për t’u shkolluar e që familjet t’i zgjedhin lirisht strukturat edukative më të përshtatshme për të mirën e fëmijëve të tyre. E akoma: Ati i Shenjtë kërkon të favorizohet bashkimi i familjeve të ndara për shkak të mungesës së mjeteve ekonomike. Në vijim i nxit edhe udhëheqësit politikë të jenë modele figurash të pastra të një politike, që vihet me të vërtetë në shërbim të të gjithëve.
Së fundi, i bën thirrje botës së mjeteve të komunikimit të japë kontributin e saj edukativ. Por përgjegjës janë edhe të rinjtë, të cilët duhet të kenë guxim të jetojnë vetë ashtu, si kërkojnë të jetojnë njerëzit, që i rrethojnë.
3. Edukimi me frymën e vërtetësisë e të lirisë.
Mesazhi nënvizon se është tejet i nevojshëm edukimi me frymën e së vërtetës e të lirisë. Fytyra njerëzore e një shoqërie varet shumë nga kontributi, që jep edukimi për të mbajtur gjallë pyetjen e përjetshme mbi të vërtetën, mbi vetë njeriun. Kush është njeriu? Ç’kuptojmë me fjalën ‘e vërtetë’? Njeriu, shkruan Papa, e ka në zemër etjen e pashuar për amshimin e për të vërtetën. Jo për të vërtetën e pjesëshme, por të plotën, atë, që është e aftë t’i shpjegojë njeriut kuptimin e jetës, ta sqarojë pse është krijuar në ngjashmëri e sipas shembëlltyrës së vetë Zotit. Njohja e kësaj së vërtete të çon tek respekti për çdo qenie njerëzore. Nga ana tjetër, vetëm në lidhje me Zotin njeriu mund ta kuptojë edhe domethënien e lirisë së vet. Ky, saktëson, nuk është detyrim, që lind nga një premtim, e as sundim mbi vullnetin e lirë. Njeriu që beson se është absolut, se nuk varet nga asgjë e nga askush, se mund të bëjë gjithçka dëshiron, në fund të fundit e humbet fare lirinë e vet. E sot rreziku kryesor, që e kërcënon lirinë, është prania masive e relativizmit. Prej këndej, Papa i fton të rinjtë të ruhen nga dashuria e tepruar për vetveten, nga relativizmi i tepruar, që të shtyn të mos pranosh asgjë përfundimtare e ta matësh gjithë botën me kutin e vetvetes e të dëshirave vetjake. Nuk duhet harruar se vetëdashja, nën dukjen e lirisë, bëhet burg, sepse e ndan njeriun nga njeriu, duke e nxitur të mbyllet brenda vetvetes. Përdorimi i drejtë i lirisë, shton Papa, ka rëndësi të dorës së parë, kur është fjala për mbrojtjen e drejtësisë e të paqes, që kërkojnë respekt për vetveten e për tjetrin, edhe atëherë kur tjetri jeton e mendon fare ndryshe.
4. Edukimi me frymën e drejtësisë.
Edukimi me frymën e drejtësisë është më se i domosdoshëm në një botë, e cila gjithnjë më shumë shikon vetëm dobinë, përfitimin, pasjen, kujton Papa. Drejtësia nuk është thjesht marrëveshje njerëzore: në të vërtetë ajo që është e drejtë, nuk përcaktohet nga ndonjë kontratë, por nga identiteti i thellë i vetë qenies njerëzore, krijuar nga Zoti. Sot disa nga rrymat e kulturës moderne, të mbështetura nga parime ekonomike racionalistike e individualiste e shkëpusin konceptin e drejtësisë, nga rrënjët e tij transhendente, gjë që ka si pasojë, shkëputjen nga dashuria e krishterë e nga solidariteti.
5. Edukimi me frymën e paqes
Nuk mund të themi se jetohet në paqe, vetëm kur nuk ka luftë, shkruan Papa, e as kur sigurohet drejtpeshimi i forcave kundërshtare. Paqja është fryt i drejtësisë dhe pasojë e dashurisë së krishterë. Mbi të gjitha, është dhuratë e Zotit, por edhe vepër e njeriut, i cili duhet ta ndërtojë ditë për ditë me duart e veta. Për të qenë veprimtarë të vërtetë të paqes, duhet të edukohemi me frymën e dhembshurisë, të solidaritetit, të bashkëpunimit, të vëllazërisë, të jemi vigjilentë e aktivë në bashkësi e t’i zgjojmë ndërgjegjet e përgjumura, kur është fjala për të zgjidhur drejt çështjet themelore kombëtare e ndërkombëtare e, sidomos, për të kërkuar mënyra të përshtatshme të rindarjes së pasurisë, vijimit të zhvillimit, bashkëpunimit e zgjidhjes së konflikteve. Papa i fton të rinjtë ta kërkojnë drejtësinë e paqen me durim e guxim, të radhiten gjithnjë përkrah së drejtës dhe së vërtetës, edhe në se u duhet të flijojnë shumë, ose të shkojnë kundër rrymës.
6. T’i lartojmë sytë kah Zoti
Nuk janë ideologjitë ato, që do ta shpëtojnë botën, pohon Benedikti XVI, por Hyji i gjallë, i cili është dashuri. E kush mund të na shpëtojë vallë, përveç dashurisë? Papa, duke i ftuar të rinjtë ta shikojnë të ardhmen me më shumë shpresë, u drejton, në fund, një thirrje të fuqishme: “Mos e humbisni shpresën përballë vështirësive, e mos ecni në shtigje të verbëra, që shpesh duken si rruga më e lehtë për kapërcimin e problemeve. Mos kini frikë të impenjoheni, të përballoni punë të vështira, të flijoheni. Ju vetë duhet të jeni shembull e nxitje për të rriturit, e do të jeni, në se do të luftoni kundër padrejtësive e korrupsionit, në se do të dëshironi ditë më të mira, në se do të impenjoheni për këto ditë.
Të jeni të vetëdijshëm për aftësitë tuaja; mos u mbyllni kurrë mbrenda vetvetes e mos kini frikë të luftoni për një ardhmëri të ndritur, që u përket të gjithëve! Nuk jeni kurrë vetëm. Kisha ka besim tek ju, ju ndjek e dëshiron t’ju japë ç’ka më të çmuar: mundësinë për t’i lartuar sytë kah Zoti, për të takuar Jezu Krishtin, Atë që është vetë drejtësia e paqja.

Nga Vatikani, 8 Dhjetor 2011
BENEDICTUS PP XVI







All the contents on this site are copyrighted ©.