2011-12-31 17:26:29

Benedikti XVI Natën e Vitit të ri 2012: T’ i vëmë në duart e Zotit tragjeditë dhe shpresat e botës!


Homelinë e Lutjeve të para mbrëmësore të Solemnitetit të së Shenjtnueshmes Virgjërës Mari, Papa e nisi me falënderimin drejtuar Zotit, në përfundim të këtij viti, duke i ftuar të pranishmit për të kënduar së bashku himnin tradicional të fundvitit “Te Deum”.
Një vit i afrohet fundit, ndërsa jemi në pritje të një viti të ri, me merakun, dëshirat e shpresat e përhershme, kujtoi Papa, duke medituar, në vijim, për përvojën e jetës, që është aq e shkurtër e ikën me shpejtësi të çuditshme. Ashtu si viti, edhe jeta. Prej këndej, nuk mund të mos na lindë pyetja: “Ç’kuptim kanë ditët tona, ngarkuar me djersë, mundime, lot? Është pyetja themelore, që përshkon historinë, që prek zemrën e çdo breznie e të çdo njeriu. Pyetje e vështirë, por jo pa përgjigje. Përgjigjja e saj – shpjegoi Papa- është shkruar në fytyrën e një Foshnjeje, që lindi dymijë vjet më parë në Betlehem e që sot është ‘i Gjalli’, i lindur përgjithmonë prej së vdekuri. Në historinë e njerëzimit, përplot me padrejtësi, me ligësi, e me dhunë, hyn me vrull të pandalshëm lajmi i ri, gazmor e çlirues i Krishtit Shëlbues i cili, përmes misterit të mishërimit e të lindjes së tij, na bën të kundrojmë mirësinë e dashurinë e vetë Hyjit. Zoti i amshuar hyri në historinë tonë, kujtoi Papa në vijim të homelisë, erdhi mbi tokë, për t’ia ndryshuar faqen, për ta çliruar nga mëkati e nga vdekja, për ta lartuar njeriun në dinjitetin e birit të Hyjit. E Krishtilindja nuk është thjesht kujtim i kësaj ngjarjeje historike, i kësaj së vërtete, që ka të bëjë me secilin nga ne, por, në mënyrë misterioze e reale, është gjithnjë ardhje e re e Zotit mes nesh.
Duke komentuar leximet liturgjike, Papa rikujtoi se që kur Shëlbuesi zbriti nga qielli, njeriu nuk është më skllav, nuk kalon nëpër jetë, pa e kuptuar pse lindi, pse vuan, pse vajton, pse vdes. Zoti hyri në kohë, për ta çliruar kohën nga pakuptimësia e saj, nga ligësia, duke i hapur një perspektivë të re, atë të dashurisë së amshuar.
Këtë të vërtetë vijon ta shpallë me zell gjithnjë të ri Kisha. Aq më tepër në një natë si kjo, kur kemi shumë arsye ta lavdërojmë Zotin për mirësinë e tij, për shëlbimin e tij, që vepron në botë përmes shërbimit kishtar, shërbimit që i bën Kisha ungjillit. Prej këndej, Papa nënvizoi se ungjillëzimi duhet vënë në plan të parë, në një mënyrë të tillë, që çdo besimtar të mund t’i flasë njeriut bashkëkohor për Hyjin e të mund t’ua kumtojë me forcë Ungjillin të gjithë atyre, që nuk e kanë dëgjuar kurrë, ose që e kanë harruar. Detyrë e dorës së parë, nënvizoi ipeshkvi i Romës, për Qytetin e Amshuar e për mbarë Botën, duke u ndaluar me hollësi tek veprimtaritë ungjillëzuese të Dioqezës së tij e edhe tek perspektivat e ungjillëzimit: nga detyra e thellimit të përgatitjes për sakramentet e para të krishtera, tek mbështetja e familjes për edukimin fetar të fëmijëve; nga kujdesi për gjithë udhën, që duhet përshkuar për një edukim të shëndoshë fetar, tek roli i klerit e i laikëve në këtë edukim.
Te Deum laudamus”. Të lavdërojmë ty, o Zot! - vijoi Papa, duke u kujtuar, në përfundim, të gjithë besimtarëve se Kisha na porosit të mos e mbyllim vitin, pa i drejtuar Zotit falënderimin tonë për të gjitha të mirat, që patëm prej tij gjatë 365 ditëve. Sepse pikërisht në Zotin duhet të ndalet ora jonë e fundme, ora e fundit e kohës dhe historisë. Në se e harrojmë këtë fund të jetës sonë, do të thotë se jetojmë fare pa kuptim. Prandaj Kisha vë në gojën e besimtarëve, “Te Deum”. Është himn plot me urtinë e të gjitha breznive të krishtera, që ndjejnë nevojën t’i drejtojnë zemrat në lartësi, me bindjen se jemi të gjithë në dorën e mëshirës hyjnore.
Të lavdërojmë, o Zot. Kështu këndon mbarë Kisha sonte, në Romë e në Botë, duke falënderuar Hyjin për mrekullitë, që ka bërë e do të vijojë t’i bëjë ndërmjet njerëzve.Plot mirënjohje, përgatitemi ta kapërcejmë pragun e vitit 2012, me sigurinë se Zoti na ruan, na ndihmon, na mbron. Atij ia besojmë veten e mbarë botën. Në duart e Tij vëmë tragjeditë e botës sonë e shpresat tona për një ardhmëri më të mirë. Në duart e Tij e të Nënës së Zotit!







All the contents on this site are copyrighted ©.