2011-12-30 16:54:40

Raporti Fides për veprimtarët baritorë, vrarë gjatë vitit 2011: 26 viktima në mbarë botën.


Të vdesësh, vetëm pse ke shprehur besimin tënd të sinqertë në Ungjill. Kjo i bashkon të 26 veprimtarët e baritorisë, vrarë gjatë 2011-tës. Lista dramatike, botuar, si zakonisht, në fund të vitit nga agjensia Fides, na kujton se persekutimi i të krishterëve, klerikë e laikë, në mbarë botën, vijon.
Të krishterët martirizohen sot si e ndoshta edhe më shumë se në lashtësi. E pohoi këtë Benedikti XVI, më 26 dhjetorin e kaluar, me rastin e festës së Shën Shtjefnit, Martir i parë i krishterimit. E pohon edhe dosja, botuar sot nga Fides, për veprimtarët baritorë, vrarë në vitin 2011. Rregulltarë, priftërinj dioqezanë, murgesha, katekistë e vullnetarë laikë, viktima të dhunës, vetëm e vetëm pse luftuan, pa marrë parasysh asnjë vështirësi, për të ndihmuar të afërmin. Të tjerë, akoma, lexohet në dokument, të zhdukur sepse, në emër të Krishtit, iu kundërvunë urrejtjes, me dashuri; dëshprimit, me shpresë; grindjeve, me dialog; padrejtësisë, me drejtësi.
Janë 26, të vrarët gjatë këtij viti, një më shumë se vitin e kaluar: 18 meshtarë, 4 rregulltare e 4 laikë. Për herë të tretë, Kontinenti amerikan zë vendin e parë në ushtrimin e dhunës kundër njerëzve të Kishës, me 13 meshtarë e 2 laikë të vrarë. Vendin e dytë e zë Afrika, ku numërohen 6 viktima. Më pas, Azia, ku gjetën vdekjen 4 veprimtarë. E së fundi, Evropa e tolerancës dhe e të drejtave qytetare, ku u vra një meshtar. Mungesa e lajmeve shpesh nuk i ka krijuar kushtet e përshtatshme për të njohur nga afër rrethanat, në të cilat u kryen këto vrasje, por nuk mungojnë edhe shembujt konkretë, kujtuar nga Papa, si ai i motër Angjelinës, vrarë ndërsa u çonte ndihma shëndetësore refugjatëve, në Jug të Sudanit, Përmasat e fenomenit bëhen edhe më rrënqethëse, po të kujtojmë se listës së agjensisë Fides i duhen shtuar shumë të tjerë, emrat e të cilëve nganjëherë as nuk njihen fare. Ushtarë të panjohur të një ushtrie paqësore, që u mbytën vetëm për shkak të besimit të tyre në Krishtin, si viktimat e fundit të atentatit kundër Kishave në Nigeri.







All the contents on this site are copyrighted ©.