2011-12-30 16:54:23

Në Madrid, festë e madhe e familjeve. Kardinali Roko kryeson Meshën në Sheshin de Kolón.


Në festën e Familjes Shenjte të Nazaretit, mijëra familje e dhjetra ipeshkvij u mblodhën sot mbasdite, në Madrid, për një kremtim solemn, kryesuar nga kryeipeshkvi, kardinali Antonio Maria Roko Varela. Meshës, që u kremtua në Sheshin de Kolón, i parapriu leximi i Mesazhit të Papës si dhe një çast lutjesh e dëshmish.
Familjet e Spanjës takohen në Madrid për të festuar e për ta falënderuar, së bashku, Zotin, në përfundim të një viti. Sivjet kjo ngjarje, kremtuar për herë të parë në vitin 2007, pati një horizont ndërkombëtar. Morën pjesë edhe familje e besimtarë nga vende të ndryshme të Evropës, që përgatiten për takimin Botëror të Familjeve, i cili do të mbahet vitin e ardhshëm, në Milano.
Në një mesazh për këtë rast, kryeipeshkvi i Madridit, kardinali Varela, i fton të gjithë besimtarët ta falënderojnë Zotin për dhuratën e familjes. Festa 2011 e familjeve spanjolle, ka në qendër të vëmendjes mirënjohjen e të rinjve ndaj prindërve, prej të cilëve morën dhuratën e jetës e të fesë. Mbi rëndësinë e familjes së krishterë, posaçërisht në këtë kohë krize, të dëgjojmë ipeshkvin Hyuan Antonio Reig Pla, gjatë një konference shtypi për ditën e sotme:
“Estamos convencidos…
“Jemi të bindur se familja e krishterë është përgjigjja më e mirë, që i jepet krizës së njerëzimit, pasojat e së cilës po i jetojmë çdo ditë. E jemi të bindur edhe se kriza, që po jeton, posaçërisht Spanja, ka nevojë për familje, të cilat mund ta ruajnë dhuratën e jetës njerëzore, ta ruajnë dashurinë bashkëshortore e, prej këndej, t’ia hapin bujarisht zemrat njerëzve, që vuajnë për shkak të krizës”.Festa u shqua për pjesëmarrje masive të të rinjve të cilët, verën e kaluar, e jetuan me gjithë shpirt Ditën Botërore të Rinisë të Madridit, me Benediktin XVI. Për ta rikrijuar gëzimin e madh të ditëve të paharrueshme të takimit të rinisë botërore, disa të rinj evropianë, në fillim të Meshës, fronëzuan figurën e Zojës së Almudenës, Pajtore e kryeqytetit spanjoll dhe e takimit botëror të rinisë. Veç kësaj, Kremtimit eukaristik i paraprinë disa pjesë muzikore, luajtur nga Orkestra dhe Kori i DBR-së, si dhe nga Orkestra Simfonike e Rrugës së Re Katekumenale.







All the contents on this site are copyrighted ©.