Më 29 dhjetor kalendari kujton shën Tomën Becket, ipeshkëv e martir.
Shën Toma Bechet lindi në Londër në vitin 1120, qe njeri me karakter të madh moral
e aftësi të jashtëzakonshme të qeverisjes, bëhet kancelar i mbretërisë së Anglisë
e këshilltar i mbretit Henrikut II. Ishte politikan i aftë dhe i shkathtë, administrator
i mirë, aq sa mbreti, për ti realizuar disa projekte të veta mbi Kishën, e emëron
kryeipeshkëv të Kantërbërit e primat të Kishës angleze (1162). Kështu Toma shugurohet
meshtar në moshën 41 vjeç, e një ditë pas shugurohet ipeshkëv. Mirëpo në këtë moment
Toma heq dorë nga detyra e kancelarit, u shpërndan të varfërve të mirat dhe pasuritë
që kishte e fillon një jetë të thjeshtë e në lutje të pareshtur drejtuar Zotit: “Dukej
si një njeri që papritmas ishte zgjuar nga një gjumë i thellë”. Mbrojtës i paepur
i lirisë së Kishës kundër ndërhyrjeve të pushtetit civil, e kundërshtoi mbretin dhe
kërkoi pavarësinë e plotë të ipeshkvijve. Për këtë e humbi miqësinë e mbretit dhe
pësoi shumë sprova e mundime derisa mbreti e mërgoi në Francë për gjashtë vjet. Më
1170 i ofrohet pajtimi e ftohet në atdhe, Toma kthehet në vendlindje e mbreti kërkoi
gjetjen e ndonjë “mënyre për t’u liruar prej këtij prifti intrigant”. Kështu, kah
përfundimi i vitit, katër kalorës të mbretit paraqiten te katedralja e Kantërbërit
në orën e lutjes së mbrëmësores. Para se të therej me thikë për vdekje, duket se Toma
pat klithë: “Unë nuk jam armik i mbretit. Jam vetëm prift!”. Kështu pësoi martirizimin
më 29 dhjetor 1170 pikërisht në katedralen e tij nga njerëzit e mbretit. Varri i tij
u bë menjëherë vend shtegtimi; aty shtegtoi edhe mbreti, për të kërkuar faljen e ndihmën
e mikut të dikurshëm, duke e zgjedhur si pajtor qiellor.