2011-12-29 12:37:39

Bilanci i atë Federiko Lombardit për veprimtarinë e Papës në vitin 2011: tema e dialogut dhe Viti i Fesë


Të dashur dëgjues, së bashku me zëdhënësin e Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardin, filluam dje bilancin e veprimtarisë së Papës gjatë vitit 2011. Dje, atë Lombardi foli per udhëtimet e Benediktit XVI në Gjermani, në Spanjë dhe në Benin. Sot, e fillojmë me takimin e Asizit, ku Papa theksoi me forcë temën e dialogut….
Po. Takimi i Asizit ishte i shumëpritur. Prej kohësh, dyshohej nëse Papa Benedikti XVI do të rimerrte në dorë mesazhet e Asizit të paraardhësit të tij, apo do të bënte hapa mbrapa… Në të vërtetë, nuk qe një përsëritje e thjeshtë e takimeve të mëparshme në Asizi, por një hap përpara, hapja e një horizonti të ri, sepse Papa mori në dorë një nga pikat themelore, temën e kërkimit të së vërtetës si element bashkimi. Kështu, mundi të ftojë në Asizi jo vetëm përfaqësuesit e konfesioneve të tjera të krishtera, ose të feve të tjera, por edhe kërkuesit e sinqertë të së vërtetës, ata që kërkojnë, pavarësisht se nuk e njohin Zotin. E ky qe një element shumë i rëndësishëm, një mesazh jashtëzakonisht i bukur, në vazhdimësi me temën e “Oborrit të jo besimtarëve”, që Papa e pati propozuar më parë e për të cilën impenjohet sot edhe Kisha. Prandaj, duke parë jo vetëm takimet e Papës, por edhe ato kishtare, në përgjithësi, tema e “Oborrit të jo besimtarëve” dhe ngjarjet e lidhura me të, kanë qenë të rëndësishme për jetën e Kishës gjatë këtij viti. Theksoj se Papa ka pasur edhe çaste të tjera të rëndësishme me karakter ekumenik dhe ndërfetar: të mendojmë për takimin me luteranët në Gjermani, ose për fjalimin para autoriteteve të Beninit, në të cilin tema e dialogut u prek drejtpërdrejt.
Ndër dokumentat e vitit 2011 spikat Motu Proprio “Porta fidei”, me të cilin Papa shpalli Vitin e Fesë, që do të fillojë në tetor 2012. Lidhet me ungjillëzimin e ri e këtu, mund të përmendim edhe Meshën për Amerikën Latine…
Po. Vërtet, që këtë vit kemi gjëra, që na nxisin të shohim më tej, drejt vitit të ardhshëm. Letra për shpalljen e Vitit të Fesë është njëra prej tyre: lidhet me temën e ungjillëzimit të ri, që është një nga temat e mëdha të kësaj papnie, si edhe me Sinodin e vitit të arshshëm. Së shpejti, do të kemi edhe doracakun e përgatitur nga Kongregata për Doktrinën e Fesë, me këshillat baritore përkatëse. Edhe ngjarja tjetër që kujtove – Mesha për 200 vjetorin e pavarësisë së vendeve të Amerikës Latine – u lidh nga Papa me udhëtimin e tij të ardhshëm, me lajmërimin e shumëpritur e emocionues për shtegtimin në Kubë e në Meksikë, pranverën që vjen. Pa dyshim, do të jetë një nga takimet më të rëndësishme të muajve të parë të vitit të ri.
Ndër vizitat, mund të përmendim atë më të fundit, në burgun romak të Rebibias…
Po. Çdo vit, në kohën e Krishtlindjes, Papa bën vizita solidariteti e bamirësie. Edhe gjatë viteve të kaluara, ka shkuar të vizitojë të sëmurët, fëmijët e shtruar në spital e të tjerë. Këtë vit, vizita në burg qe e rëndësishme dhe emocionuese, por edhe shumë spontane, me dialogun ndërmjet Papës dhe të burgosurve, që i preku shumë të gjithë. Këtu shihet qartë se Kisha mund të japë një mesazh të fuqishëm, të gjallë e të thellë për pajtimin dhe për shpresën e integrimit në shoqëri të atyre, që janë fajtorë para saj. Natyrisht, Kisha ia lë shoqërisë përgjegjësinë me karakter legjislativ e organizativ të problemeve dramatike, siç janë ato të drejtësisë e të burgjeve. Mendoj se bota e sotme ka nevojë të kujtojë se kush gabon nuk duhet të mënjanohet, apo të eliminohet nga shoqëria, pasi drejtësia e vërtetë vendoset kur e keqja kapërcehet përmes pajtimit, përmes bashkëjetesës paqësore të fajtorëve me pjesën tjetër të popullsisë, pasi kanë paguar për gabimin e tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.