2011-12-29 13:57:11

400 mijë vetë, në audiencat e Benediktit XVI, gjatë vitit 2011


Mëse 400 mijë vetë kanë marrë pjesë në 45 audiencat e përgjithshme të Benediktit XVI, në ditët e mërkura të vitit 2011, në sheshin e Shën Pjetrit, në Bazilikën e Vatikanit, në Sallën Pali VI dhe në oborrin e Pallatit Papnor të Kastel Gandolfos. Lajmi botohet në gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”, e cila bën të njohura të dhënat e Prefekturës së Shtëpisë Papnore. Theksohet se shifrat janë më të ulta nga ato të vërtetat, pasi bazohen vetëm në prenotimet. Në përgjithësi, çdo të mërkurë marrin pjesë në audiencë 20% më shumë besimtarë, në krahasim me biletat. E sidomos audiencat e fundit të vitit janë veçanërisht të frekuentuara, për t’i bërë Atit të Shenjtë urimet për Krishtlindjen e për Vitin e Ri.
Gazeta e Vatikanit vë në dukje historinë e Valentinës 5 vjeçare, talasemike italiane, që e ruajti buzëqeshjen më të bukur për Papën, të cilit me ëmbëlsi të jashtëzakonshme i tha edhe “të dua fort”, duke e puthur në faqe. Vogëlushja erdhi dje nga Milano me prindërit, për ta përqafuar Atin e Shenjtë gjatë festave.
I veçantë edhe takimi me rreth 200 vetë të bashkësive afrikane frankofone, që jetojnë në Itali, të shoqëruar nga koordinatori i baritorisë për ta, don Denis Kibangu Malonda. E falenderuan Benediktin XVI për vizitën në Benin dhe për Nxitjen Apostolike “Ecclesia in Africa”, por shprehën edhe afërsinë e tyre me katolikët nigerianë, të goditur nga dhuna fondamentaliste islamike pikërisht në ditën e Krishtlindjes.







All the contents on this site are copyrighted ©.