2011-12-28 12:31:53

Me 28 dhjetor kalendari kremton Shenjtorët e Pafajshëm.


Sot më 28 dhjetor Kisha përkujton një ngjarje tragjike që ndodhi pak vite pas lindjes së Krishtit. Na kujtohet se si Tre Mbretërit apo Dijetaret kur erdhën në Jerusalem për të pyetur ku lindi Mbreti i ri, dhe në bazë të Shkrimeve zbuluan se Ai ka lindur në Betlehem. Herodi, mbreti i Izraeliteve ishte një diktator, njeri që për të ruajtur pushtetin urdhëroi të vriten bijtë dhe gruaja e tij, tani shtiret kinse si një mik i vërtetë i Mbretit të ri. I udhëzojë ata që posa ta gjenin Foshnjën të ktheheshin për ta lajmëruar sepse edhe ai dëshiron ta shohë Mbretin e ri. Por, siç e dimë, të mësuar në ëndërr nga engjëlli, Tre Mbretërit, nuk kthehen më tek Heroi por kalojnë një rrugë tjetër. Dhe kur Herodi e sheh se e kanë tradhtuar, urdhëroi të bëhet masakra mbi Fëmijët e pafajshëm të Betlehemit dhe rrethinës. Herodi e dinte se Mbreti ri duhet të ketë rreth një vit e gjysmë, por për të qenë më i sigurt urdhëroi të vriteshin fëmijët meshkuj deri në moshën dy vjeçare.
Krishti shpëtoi pasi që në ëndërr, engjëlli i Zotit e udhëzoi Jozefin që bashkë me Marinë dhe Foshnjën të iknin në Egjipt. Këta Fëmijë të pafajshëm të vrarë nga Heroi u pagëzuan me gjak dhe u flijuan për Krishtin, pra vdiqën në vend të Tij.
Mjerisht ende sot ka shumë Heroda modern, të cilët i vrasin fëmijët në kraharorin e nënës. E lumja Nëna Terezë Bonxhe Bojaxhiu thoshte se aborti është shkatërruesi më i madh i botes. “Nëse nuk doni t`i rriteni fëmijët mos i vrani, ejani e lindni tek ne. Ne do të kujdesemi për ta. Sot shumë kush i vranë fëmijët e vet shpirtërisht, duke iu dhënë shembull të keq”.
Festa e sotme na ndërgjegjëson se Fëmijët janë engjëj, janë dhuratë e Hyjit dhe e ardhmëria e Kishës dhe e çdo populli. Duhet të kujdesemi për rritjen e tyre fizike, morale, intelektuale por edhe shpirtërore. Fëmijët duhet pajisur, jo vetëm me të mira materiale, por edhe me vlera, virtyte njerëzore e shpirtërore, shoqërore e kombëtare.







All the contents on this site are copyrighted ©.