2011-12-28 17:58:35

Kardinali Skola: ta bëjmë krizën rast për të rilindur.


Të nisemi përsëri nga Krishti Fëmijë, për ta përballuar krizën, që po dredh mbarë Evropën: me këto fjalë nxitëse e nisi Kardinali Anxhelo Skola Meshën e parë të Krishtlindjes si kryeipeshkëv i Milanos. Hirësia e Tij i ftoi të gjithë të ecin në udhën e besimit: “Hyji me ne, na i jep të gjitha mjetet për ta kapërcyer këtë çast të vështirë, theksoi. Por, ta dëgjojmë vetë kardinalin Skola, në mikrofonin tonë:RealAudioMP3

Përgjigje: - Mendoj se duhet ta shikojmë këtë fenomen të rëndë prove, që sjell me vete shumë vuajtje, shumë dhimbje, ashtu siç i shikojmë çastet e provave tona personale, të cilat mund të na trondisin ditë për ditë. Dy janë mundësitë: ose t’i shkalisim duart, dhe e kuptoj se ky është një tundim shumë i fortë, ose të lutemi për rilindje, për shpëtim. E ky është edhe kuptimi i Krishtlindjes: duhet të rilindim! Bota rilind pikërisht pse Zoti vjen mes nesh. Prej këndej, rruga është t’i krijojmë vërtet hapësirë Foshnjës Hyjnore e ta lëmë të na japë, me praninë e tij, jetë, shpresë, guxim. Ai që vjen besnikërisht tek ne e rri me ne, na fton të impenjohemi, secili sipas mundësive, sipas aftësive të veta, për t’i përballuar vendosmërisht problemet reale e konkrete, sipas vendit ku jeton e ku punon. Prej këndej, nuk duhet të mposhtemi nga prova, por ta shndërrojmë në nxitje, në rast, që na ndihmon për të rilindur.

Pyetje: - Edhe sivjet po e jetojmë Krishtlindjen në një kohë, në të cilën shoqëria duket gjithnjë më e shekullarizuar. Ç’vlerë mund të ketë sot lindja e Jezusit, për ata që e quajnë veten laikë, domethënë, për të gjithë njerëzit vullnetmirë?

Përgjigje: - Besoj se zemrën e çdo njeriu, që beson, thotë se është agnostik, ose mendon se është ateist, e mundon gjithnjë pyetja për kuptimin e jetës. Atëherë unë i përgjigjem kësaj pyetjeje, duke u bërë një pyetje tjetër të gjithë këtyre vëllezërve, këtyre njerëzve: thua është e mundur të jetosh një jetë plot kuptim, pa shikuar në lartësi, pa u shqetësuar për atë, që është përtej, për një ‘X’, me shkronjë të madhe, i cili mund të të tregojë, mund të të këshillojë të ecësh në një rrugë, që të çon në përmbushjen e dëshirës për lumturi, të cilën e kemi të gjithë në zemër? Unë besoj, madje jam i bindur se asnjë njeri, në fund të fundit, nuk mund të mos mendojë se kjo lumturi mund të arrihet. Prej këndej, Hyji, që bëhet Fëmijë, dashuria e përkryer, Hyji Trini i mishëruar, është ftesë për një përqafim; është dorë, që shtrihet plot respekt për lirinë e të gjithëve. E pret dorën tjetër, dorën e të gjithëve. E dhurata e tij është gjithnjë aty, pranë teje, siç na kujton Shën Ambrozi: “Jezusi është tek porta jote e troket, por nuk mund të hyjë, në se ti nuk ia hap”.

Pyetje: - Urimi juaj për dëgjuesit tanë?
Përgjigje: - T’ia ngulim mirë sytë Shpellës së Betlehemit, të bëjmë atë, që bënë barinjtë, që bënë Mbretërit Dijetarë. Nga djepi i Betlehemit buron një njomësi prekëse; të përtërihemi, pra, prej njomësisë së Hyjit Foshnjë. Jezusi na e tregoi rrugën: i Tejetlarti hyri në kohë, për të jetuar bashkë me të vegjlit, të përvuajturit, duke u bërë ai vetë i vogël, i përvuajtur. Jezusi niset gjithnjë nga nevoja e tjetrit. Të përpiqemi edhe ne, aq sa na e lejon vogëlsia jonë, për t’u nisur nga nevojat e tjetrit, ta ndihmojmë vëllazërisht tjetrin, të lëvizim me zemër të pastërt e të sinqertë për tjetrin. Thuhet vazhdimisht se drejtësia mund të sigurohet vetëm nga reformimi i plotë i sistemit, por mua kjo më sjell në mendje pohimin e poetit Eliot: “Shpesh ëndërrojmë një shoqëri aq të përkryer, sa të na çlirojë edhe nga detyrimi për të qenë të mirë”. Duhet pasur parasysh, prandaj, se çlirimi i madh mund të jetë vetëm personal.







All the contents on this site are copyrighted ©.