2011-12-28 12:31:44

Festa e Fëmijëve të Pafajshëm: thirrje të kujdesemi për fëmijët që vuajnë e që keqpërdoren nga të rriturit, fëmijë të lindur e të palindur.


Sot me 28 dhjetor Kisha kremton Festën e Fëmijëve të Pafajshëm me thirrjen të kujdesemi për të gjithë fëmijët që vuajnë e që keqpërdoren nga të rriturit, fëmijë të lindur e të palindur.
Pra, Kisha katolike sot më 28 dhjetor kremton e kujton festën e Shenjtërve të Pafajshëm Martirë, fëmijët që u vranë nga mbreti Herod në përpjekjen për të zhdukur Jezusin fëmijë nga faqja e dheut. Në Ungjillin e sotëm thuhet se u ngrit në qiell “një vaj e gjëmë e madhe; Rakela vajton bijtë e vet e nuk do të ngushëllohet, sepse nuk janë më”. E Kisha, gjatë këtyre ditëve, mase një herë e ka kujtuar thirrjen e fëmijëve, viktima të dhunës nga ana e të rriturve.
Në Meshën e Krishtlindjes kujtoi se vetë Zoti, duke u bërë njeri, lindi si një fëmijë pa mbrojtje, që kishte nevojë për ndihmën tonë. Krishti lindi në një stallë e në varfëri të plotë: Shenja e Zotit është fëmija. Shenja e Zotit është se Ai u bë i vogël për ne. Kjo është mënyra e tij për të depërtuar e mbretëruar në zemrat tona njerëzore. Zoti nuk vjen me pushtet e madhështi. Ai vjen si fëmijë i pambrojtur, që kërkon ndihmën tonë. Nuk dëshiron të na sundojë me forcë. Na e heq frikën nga madhështia e tij. Zoti na kërkon dashurinë tonë: prandaj bëhet fëmijë. Kështu Zoti na mëson të duam të vegjlit dhe të dobëtit. Na mëson kështu, respektimin e fëmijëve:
Fëmija e Betlehemit e drejton vështrimin drejt të gjithë fëmijëve të vuajtur e të keqpërdorur, të abuzuar të botës, si drejt atyre që kanë lindur, ashtu edhe drejt të palindurve. Drejt fëmijëve që, si ushtarë, futen në një botë plot dhunë; drejt fëmijëve që janë të detyruar të lypin rrugëve; drejt fëmijëve që vuajnë nga mjerimi e uria; drejt fëmijëve që nuk kanë asnjë përvojë dashurie nga prindërit e nga familja.
Kisha i kushton vëmendje në veçanti fëmijëve, “e ardhmja e të cilëve është në rrezik për shkak të shfrytëzimit e keqdashjes nga ana e të rriturve pa skrupuj”. Flet për vdekje të heshtura të fëmijëve shkaktuar nga uria, nga aborti, nga eksperimentimi mbi embrionet.
Me datën 28 dhjetor 2005, Papa Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, duke shpjeguar Psalmin 138, përmendi se si “sytë plot dashuri të Zotit kthehen drejt njeriut, qysh kur është akoma pa formë në kraharorin e nënës. Madhështia e kësaj krijese njerëzore akoma të palindur – pati thënë Ati i Shenjtë Racinger – qëndron në faktin se është e rrethuar nga dashuria e Tij Hyjnore. Në librin e jetës së Zotit tashmë janë të shkruara ditët që ajo krijesë do të jetojë e ekzistencën e saj tokësore do të mbushë me vepra”.
Kisha na fton që të kemi guxim e të jemi koherentë: Herodi thoshte se dëshironte ta adhuronte Foshnjën Hyjnore, por në të vërtetë donte ta vriste. Vetëm duke respektuar me koherencë çdo person, në çdo fazë të jetës promovohet paqja. E fëmijët, me pafajësinë e tyre e pasurojnë njerëzimin me mirësi e shpresë dhe, me dhimbjen e dashurinë e tyre na nxisin të bëhemi të gjithë veprimtarë të drejtësisë e të paqes.







All the contents on this site are copyrighted ©.