2011-12-28 15:03:55

Benedikti XVI të rinjve të Tezesë, të mbledhur në Berlin: “hapni shtigje besimi në të gjithë botën”


Berlini, qytet simbol për të gjithë ata, që bëjnë ç’është e mundur të kapërcejë muret e ndarjes e të përhapë besimin ndër njerëz, priti sot mëse 30 mijë të rinj nga vende të ndryshme, pjesëmarrës të takimit ndërkombëtar të Taizé-së, i cili zhvillohet çdo vit në një qytet të botës. Kjo traditë ndiqet edhe nga shqiptarët, të cilët shkojnë gjatë verës në Taizé e marrin pjesë edhe në takimet ndërkombëtare, në kapërcyell të Vitit të Ri. Është hera e parë, që të rinjtë e mbledhur nga Bashkësia e murgjërve të Taizé-së, mbërrijnë në kryeqytetin gjerman, për ta mbushur atë me gëzimin, entuziazmin e moshës, por sidomos me lutjet e përditshme së bashku me banorët vendas, sipas stilit të bashkësisë së njohur ekumenike në jug të Francës. Është një “Shtegtim besimi”, siç quhet tashmë prej vitesh, e, edhe Papa Benedikti XVI, në mesazhin e tij me këtë rast, u shkruan të rinjve të reflektojnë për burimet e besimit e të hapin shtigje për të në të gjithë botën.RealAudioMP3
“Besimi – vëren Ati i Shenjtë – nuk është i verbër… Duke u çliruar nga skllavëria e frikës, besimi, që ushqehet nga feja juaj në Krishtin e nga jeta e Shpirtit të Shenjtë të Tij në zemrat tuaja, ju bën më largpamës, më të gatshëm për t’iu përgjigjur sfidave të shumta e vështirësive, që duhet të përballojnë burrat e gratë e sotme”.
Të rinjve të Taizé-së u ka shkruar edhe Patriku Ekumenik i Konstandinopojës, Bartolomeu I, i cili e përqendron mesazhin tek solidariteti, që nuk duhet të mbetet vetëm parrullë e disa partive, por duhet të kthehet në impenjim, si në planin e veprave, ashtu edhe në atë të lutjes. Nga ana e tij, Patriku ortodoks i Moskës dhe i të gjithë Rusive, Kirill, kujton se solidariteti njerëzor i ka rrënjët te Zbulesa e Hyjit, pikërisht përmes ngjarjeve të Krishtlindjes, që festojmë këto ditë e, s’është tjetër, veçse vëllazërimi ndërmjet njerëzve, që kapërcejnë çdo ndryshim kombëtar e shoqëror, duke kuptuar se të gjithë jemi bij të Zotit.
Tek besimi në Zotin e në praninë e tij në historinë njerëzore, e vënë theksin edhe kryeipeshkvi anglikan i Kanterburit, Rouan Uiliams dhe sekretari i përgjithshëm i Federatës Luterane Botërore, Martin Junge, duke nënvizuar se nëse na mungon besimi tek Zoti, nëse kemi besim vetëm tek paraja, tek tregu e tek aftësitë tona, kapemi në një kurth, nga ku nuk dilet lehtë. Mesazhe të tjera kanë dërguar në Berlin edhe sekretari i Këshillit Ekumenik të Kishave, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, presidenti i Këshillit të Evropës dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila, në veçanti, kujton se pikërisht ky qytet, në shumë aspekte, vë në dukje se liria dhe demokracia nuk jepen një herë e përgjithmonë, por duhen rijetuar e përtërirë vazhdimisht.
Frère Roger, themeluesi i Bashkësisë së Taizé-së, vrarë më 16 gusht 2005 nga një grua me probleme mendore, pati shkuar në Berlin më 1986. Në atë rast, mëse 6 mijë të rinj të Gjermanisë Lindore të atëhershme, morën pjesë në lutje në dy kisha, katolike dhe protestante. Këtë vit, është Berlini i bashkuar ai, që i pret të rinjtë, të cilët do të reflektojnë mbi letrën e eprorit aktual të bashkësisë, me titull “Drejt një solidariteti të ri”. Pikërisht eprori i Taizé-së, frère Alois flet për të në mikrofonin tonë:
Duhet të kërkojmë një motivacion më të thellë për solidaritetin e vërtetë ndërmjet njerëzve. Besimi, që shpesh mungon në shoqëri, është një vlerë thelbësore. Duhet ta kërkojmë sërish mënyrën për të besuar në një botë, ku rruga e fesë nuk është e lehtë, sidomos për të rinjtë. Feja është si besimi. Duhet ta kërkojmë.
Në letrën tuaj keni shkruar se përgjigjja për çdo ankth është rizgjimi i një solidariteti të ri ndërmjet njerëzve, familjeve dhe bashkësive. Sot, cilat janë vendimet, që kërkojnë guxim?
Një vendim i rëndësishëm, sot, do të ishte ai i bashkëndarjes. Në shoqërinë tonë, fatkeqësisht, ekziston varfëria e ne duhet ta luftojmë. Duhet ta kërkojmë bashkëndarjen, edhe në shoqëritë më të pasura. Nuk mund ta pranojmë varfërinë. Janë të shumtë të rinjtë, që e kërkojnë kuptimin e jetës jo vetëm në gjërat materiale, por edhe në marrëdhëniet, në besimin. Shoqëria nuk mund të jetojë pa besim. Duhet të kërkojmë një kuptim më të thellë, përmes solidaritetit e përmes besimit në Zotin.
Berlini tashmë është i bashkuar. Muri i famshëm, që e ndante botën më dysh, është shembur. Por ka të tjera mure…
Muri nuk mbeti aty pafundësisht e Berlini gëzon sot për këtë. Kjo na jep guxim t’i shembim edhe ato mure, që ekzistojnë akoma.







All the contents on this site are copyrighted ©.