2011-12-28 17:58:17

Benedikti XVI dhe viti 2011, në bilancin e atë Federiko Lombardit: vit i frytshëm dhe i qetë, me mesazhe të fuqishme, që na nxisin të shohim përpara


Viti 2011, që po përfundon, ka qenë mjaft i frytshëm për Papën Benedikti XVI. Së bashku me drejtorin e Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, po ju propozojmë një bilanc të veprimtarisë së Atit të Shenjtë, duke filluar nga udhëtimet ndërkombëtare:RealAudioMP3
E drejtë, sepse udhëtimet ndërkombëtare janë gjithnjë pikë referimi në veprimtarinë vjetore të Papës. Dua të filloj, duke kujtuar dy udhëtimet në mes të vitit, atë në Gjermani dhe atë në Spanjë. Para së gjithash, ai i Gjermanisë, sepse vë në dukje shqetësimin e Papës për të folur për Zotin, duke iu referuar primatit të Hyjit edhe në shoqërinë e shekullarizuar të ditëve tona, në kontekstin evropian, në veçanti, në atë të vendit të vet. Ishte një udhëtim, që pritej me padurim, jashtëzakonisht i rëndësishëm. Besoj se fjalimi i Papës para Parlamentit, në Berlin, mbetet një nga fjalimet më të mëdha të kësaj papnie, që i dha të kuptojë auditorit të gjerë rëndësinë e Zotit si bazë e fuqishme, si pikë referimi për bashkëjetesën njerëzore, për vlerat themelore të shoqërisë e për mbrojtjen e dinjitetit të njeriut. Tema e përparësisë së Zotit mbizotëroi në udhëtimin e Gjermanisë, por në kontekstin e shekullarizimit. Ndërsa në Spanjë, në Ditën Botërore të Rinisë, para udhëtimit në Gjermani, mbizotëroi përvoja e madhe e gjallërisë së fesë, e së ardhmes së saj. Papa reflektoi sërish mbi këtë udhëtim, gjatë fjalimit të tij të fundit para Kuries Romake, pak para Krishtlindjes. E në reflektimin e tij, shpjegoi çfarë të shpallim e si ta shpallim, për të qenë të krishterë, në një mënyrë të re, më jetësore. Pra, nga Dita Botërore e Rinisë, Papa nxorri rrugët e gjalla për ungjillëzimin e ri të botës. Prandaj, nëse Gjermania më duket më shumë paralajmërim për të ruajtur vlerat themelore të dikurshme, në një botë në shekullarizim e sipër, Dita Botërore e Rinisë dhe Spanja na treguan aspektin pozitiv të pranisë së Kishës në botën e sotme.
Kemi pastaj, shtegtimin në Benin…
Po, udhëtimi në Benin ka qenë një nga takimet themelore të këtij viti, edhe pse përkonte me paraqitjen e dokumentit përfundimtar të Sinodit për Afrikën. Një dokument i bukur, i qartë e i thjeshtë. Shumë analistë – edhe jo katolikë – e kanë përmendur si një nga dokumentet më të bukura, që ekzistojnë sot për kontinentin afrikan. Ai trajton gjerësisht problemet e tij e tregon me besim arsyet e shpresës realiste për të ardhmen, duke njohur dinjitetin e afrikanëve. Kjo ishte edhe atmosfera e udhëtimit. Papës i bëri shumë përshtypje gëzimi, gjallëria e popullit, që e priti. Një popull, që jeton mes vështirësish, që është i varfër, që pa dyshim ka njëmijë vuajtje e probleme, por që shfaq aftësi për të shkuar përpara e për ta gëzuar jetën. Prandaj, ky udhëtim tregoi më së miri se Kisha Katolike është në gjendje t’i flasë kontinentit afrikan, duke qenë pjesë përbërëse e tij: nuk flet për Afrikën nga Evropa, por flet për Afrikën në Afrike e nga Afrika. Solidariteti, mikpritja, gëzimi, pjesëmarrja që përjetoi Papa në mesin e afrikanëve, shprehu më së miri frymën e dokumentit. Do të thosha se kjo është shenjë shprese për të ardhmen e Afrikës e për të ardhmen e Kishës e të shërbimit të saj në kontinent.








All the contents on this site are copyrighted ©.