2011-12-27 15:24:26

Të persekutuar, sepse të krishterë: reflektimi i përfaqësuesit të OSBE-së për diskriminimin e të krishterëve


“Gjaku i martirëve është fara e të krishterëve të rinj”: pohimi i famshëm i Tertulianit tingëllon edhe më fort, sot, ndërsa akoma nuk është shuar jehona e atentateve në Nigeri, që shkaktuan mëse 40 viktima e dhjetra të plagosur, pikërisht Ditën e Krishtlindjes. Martirizimi është një përmasë e dëshmisë së fesë, që fatkeqësisht, bën pjesë edhe në jetën e sotme të botës. Të dëgjojmë përfaqësuesin e OSBE-së për diskriminimin e të krishterëve, Masimo Introvinje:

Është i çuditshëm fakti, që shumë njerëz, kur flitet për martirizimin, mendojnë se ai i përket kohës së Perandorisë Romake. Sigurisht, ashtu është, megjithëse do të ishte mirë që jo vetëm të krishterët, por të gjithë ta dinë se, nga pikpamja historike, epoka e martirizimit është kjo e jona. Sipas një studimi statistikor të ekspertit më të shquar të statistikës fetare moderne, David Barrett, që nga vdekja e Jezu Krishtit e deri në ditët tona, martirët e krishterë kanë arritur shifrën 70 milion, por, prej tyre, 45 milion – pra, më shumë se gjysma – janë martirizuar në shekullin XX e në fillim të shekullit XXI. Ky ka qenë edhe një mësim i madh i të Lumit Gjon Pali II: të reflektojmë gjithnjë për faktin se shekulli i martirëve ka qenë shekulli XX, me kulme në tmerret e komunizmit e të nacionalsocializmit. E kjo gjendje vazhdon edhe sot.

Ju e mbani nën vëzhgim krejt botën. Sipas jush, cilat janë situatat më alarmuese?

Sigurisht, e para që të vjen në mend është ultrafondamentalizmi islamik. Ati i Shenjtë e ka përmendur shpesh ligjin mbi blasfeminë në Pakistan. Përveç dhunës publike, që vjen nga këto ligje, kemi edhe dhunën private, atentatet, në shumë vende me shumicë myslimane. Pastaj kemi një zonë të dytë, atë të vendeve, që akoma ndikohen nga ideologjia komuniste, e cila nuk është zhdukur në vitin 1989, ose në vitin 1991. Prandaj, Kina për shembull, është një vend ku liria fetare nuk është e plotë. Kemi edhe një zonë të tretë, atë të nacionalizmave me bazë fetare, në rajone të Afrikës e të Azisë, ku të krishterët konsiderohen mish i huaj, gati tradhtarë të kulturës lokale, megjithëse prania e tyre është shpesh tepër e lashtë. E duhet të hapim edhe kapitullin e ngjarjeve tona, këtu në Evropë, në Perëndim, ku – siç na e ka kujtuar shpesh Ati i Shenjtë – natyrisht, nuk kemi atë dhunë, që kemi në disa zona të Afrikës e të Azisë, por, kemi këtë përpjekje të nëndheshme – që nganjëherë nuk është madje, as aq e fshehur – për ta diskriminuar, për ta mënjanuar krishterimin e për ta mohuar identitetin e krishterë e rrënjët e krishtera, duke e sulmuar në shumë mënyra Kishën dhe Papën.







All the contents on this site are copyrighted ©.