2011-12-27 15:24:05

Patriku i Kostandinopojës: të shndërrohemi nga individë në njerëz, që e duam njëri-tjetrin


“Që sivjet, të fillojmë ta jetojmë Krishtlindjen siç i pëlqen Zotit, që na jep çdo të mirë: të përjetojmë në tokë e brenda zemrave paqen e pakrahasueshme e mirësinë plot dashuri të Zotit për ne. Të bëhemi njerëz, në bashkim dashurie me Zotin e me të afërmin, duke u shndërruar nga individë në persona. Ta hedhim maskën e njeriut egoist, që jeton i ndarë nga Hyji, nga të afërmit e nga vëllezërit e vet”. Kjo është ftesa, që u bën të gjithëve, në mesazhin e tij të Krishtlindjes, Patriku ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu I, i cili na kujton se “udha e vetme e shpëtimit nga luftrat, nga krizat ekonomike, apo të çdo natyre qofshin, është Zoti ynë, Jezu Krisht, i cili na ka siguruar se Ai vetë është Udha, e Vërteta dhe Jeta”.

Patriku i Kostandinopojës kërkon një fe konkrete, e cila i bën besimtarët pjesëmarrës në Lajmin e Mirë të Zotit për njerëzimin që vuan, pa qenë në gjendje të gjejë paqen me mjetet e veta. Fatkeqësisht, vëren Bartolomeu I, shumica e njerëzve nuk e kupton krejtësisht Krishtlindjen, pyet pse duhet t’i thurim lavde Zotit, përderisa në botë nuk ka paqe e njerëzit shpesh nuk e shohin me dashamirësi njëri-tjetrin. Si pasojë, shumica e njerëzve nuk e lavdërojnë Hyjin as me vepra e as me fjalë e madje, disa dyshojnë edhe për ekzistencën e Tij. Natyrisht, vazhdon Patriku, janë të shumtë ata, që e konsiderojnë përgjegjës për problemet e jetës së tyre.

Por, ata që sillen kështu, gabojnë, sepse – shpjegon Patriku Ekumenik – e keqja nuk vjen nga Zoti. Përkundrazi, me mishërimin e Birit të Hyjit, për dashuri ndaj botës, me vdekjen e ngjalljen e Tij, përtërihet feja dhe jeta e besimtarit, që merr sërish shkëlqimin e dikurshëm, në perspektivën e jetës së amshuar e të paqes së shpirtit. Shumë njerëz, vazhdon të verë në dukje Bartolomeu I, tërhiqen nga boritë e luftës e gati u vjen keq kur dëgjojnë premtimin për një jetë në paqe.

Këta nuk janë vetëm zotërinjtë e luftës, por edhe të gjithë ata, që e shndërrojnë një garë fisnike në konflikt e në sulm kundër vëllezërve të vet, duke kërkuar eliminimin e kundërshtarit. E atëherë, lufta shihet si realiteti i zakonshëm ndërmjet grupeve shoqërore, me kundërvënie të çdo lloji: etnike, ekonomike, ideologjike, fetare, sportive… Harrojmë se lajmërimi i ëmbël i engjëjve për “paqe mbi Tokë” është para së gjithash, një premtim i Zotit, nëse njerëzit ndjekin rrugën, të cilën ua tregon atyre Foshnja Hyjnore që lind.







All the contents on this site are copyrighted ©.