2011-12-26 15:31:01

Thirrje e Papës në Engjëllin e Tënzot, të nesërmen e dhunës kundër të krishterëve në Nigeri: pajtimi e dashuria janë rruga e vetme për të arritur paqen


"Kujtimi i martirizimit të Shën Shtjefnit na bën të vetëdijshëm se edhe sot, në anë të ndryshme të botës, vëllezërit tanë të krishterë japin dëshminë e fesë në mesin e persekutimeve”. Të nesërmen e sulmit kundër bashkësisë së krishterë në Nigeri, Papa Benedikti XVI bëri thirrje që vendi të rigjejë sigurinë dhe qetësinë. Atentati i kryer nga grupi fondamentalist islamik “Boko Haram” pikërisht në ditën e Krishtlindjes, theksoi Ati i Shenjtë gjatë Engjëllit të Tënzot, zgjon brenda nesh një lutje të fuqishme, drejtuar Zotit, me qëllim që:
“…Të ndalen duart e të dhunshmëve, që mbjellin vdekje e në botë, të mbretërojë drejtësia e paqja. Por toka jonë vazhdon të vaditet me gjak të pafajshëm. Mora vesh me trishtim të madh lajmin e atentateve, që edhe këtë vit, në Ditën e Lindjes së Jezusit, sollën zi e dhimbje në disa kisha të Nigerisë. Dëshiroj t’i shfaq afërsinë time të sinqertë e të përzemërt bashkësisë së krishterë dhe të gjithë atyre, që u goditën nga ky gjest absurd. Ju ftoj ta lusni Zotin për viktimat e shumta. Bëj thirrje që, në bashkëpunim me grupet e ndryshme shoqërore, të rivendoset siguria dhe qetësia. Në këtë moment, dua të përsëris edhe një herë me forcë: dhuna është një rrugë, që çon vetëm drejt dhimbjes, shkatërrimit e vdekjes; respekti, pajtimi dhe dashuria janë udha e vetme për të arritur paqen”.
Në ditën, në të cilën Kisha Katolike përkujton martirin e saj të parë, shën Shtjefnin, Papa theksoi se martirët janë “mësues të jetës”, “lajmëtarë të heshtur” të së Vërtetës, që bazohet në dashurinë:
“Të dashur miq, imitimi i vërtetë i Krishtit është dashuria, që disa shkrimtarë të krishterë e kanë quajtur “martirizimi i fshehtë”. Për këtë, shën Klementi i Aleksandrisë shkruan: ‘Ata që zbatojnë urdhërimet e Tënzot e dëshmojnë me çdo veprim, sepse bëjnë atë që do Ai e me besnikëri shqiptojnë emrin e Hyjit’” (Stromatum IV, 7,43,4: SC 463, Paris 2001, 130).
Edhe në ditët tona, shtoi Ati i Shenjtë, shumë të krishterë janë viktima të persekutimit:
“Si në lashtësi, edhe sot, pranimi i sinqertë i Ungjillit mund të kërkojë flijimin e jetës e shumë të krishterë, në vende të ndryshme të botës, persekutohen e nganjëherë, edhe martirizohen. Por, na kujton Zoti, kush do të durojë deri në fund, do të shpëtohet”.
Pas brezit të Apostujve, vazhdoi shpjegimin e tij Papa, martirët nderohen jashtëzakonisht nga bashkësia e krishterë. Në kohë persekutimesh, kujtimi i veprave të tyre mbështet udhën e lodhshme të besimtarëve dhe inkurajon ata, që kërkojnë të vërtetën e kthimin e zemrës drejt Zotit. Martiri i parë, shën Shtjefni, ndërsa vritej me gurë, i lutej kështu Hyjit, kujtoi Benedikti XVI:
“O Zot Jezus, pranoje shpirtin tim. Pastaj, rënë në gjunjë, lutej për faljen e akuzuesve: ‘O Zot, mos ua llogarit këtë mëkat’. Për këtë Kisha Lindore këndon në himne: ‘Gurët u bënë për ty shkallë për t’u ngjitur në Qiell… e iu afrove plot gëzim takimit festiv të engjëjve’” (MHNAIA t. II, Roma 1889, 694.695).
Lindja e Birit të Zotit – tha Ati i Shenjtë pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, duke përshëndetur shtegtarët në gjuhën frënge – na inkurajon ta dëshmojmë praninë e Tij në popullin e vet, edhe mes vështirësish. Le të mendojmë për të gjithë të krishterët e persekutuar në botë, që ndjekin shembullin e shën Shtjefnit, martirit të parë, duke dhënë jetën për fenë e tyre:
“Papa nuk i harron”.
Benedikti XVI iu drejtua më pas, shtegtarëve të gjuhës italiane, duke përshëndetur veçanërisht familjet e fëmijët:
“Ndërsa ju falenderoj për dashurinë tuaj, ju kërkoj t’u çoni urimet e mia të afërmve në shtëpi, sidomos të moshuarve e të sëmurëve. Gëzuar festat të gjithëve. Faleminderit! Gëzuar festat!”







All the contents on this site are copyrighted ©.