2011-12-26 15:31:15

Kryeipeshkvi i Abuzhës, imzot Onajekan: ata që mbjellin vdekje në Nigeri, nuk mund të vrasin edhe shpirtin e bashkëjetesës


Një ditë pas atentateve kundër kishave të krishtera në Nigeri, që shkaktuan së paku 40 të vdekur e dhjetra të plagosur, qeveria e vendit afrikan lajmëroi se në fillim të vitit 2012 do të mbahet një mbledhje e veçantë për sigurinë kombëtare. Presidenti nigerian dhe krejt bashkësia ndërkombëtare dënuan ashpër dhunën e ushtruar nga grupi fondamentalist islamik “Boko Haram”, pikërisht ditën e Krishtlindjes. I telefonuam kryeipeshkvit të Abuzhës, imzot Gjon Onajekan, në çastin kur ndodhej në kishën e Shën Terezës në Madala, teatër i sulmit të përgjakshëm. Ja ç’na tha:
Në bashkësinë e krishterë, një pjesë e sheh atentatin si të pashmangshëm, por pjesa më e madhe akoma nuk arrin ta kuptojë psenë. Të rinjtë janë jashtëzakonisht të zemëruar. Jemi përpjekur t’i qetësojmë, por ia kemi bërë të qartë qeverisë se e vetmja mënyrë për të shuar zemërimin e të rinjve, që kanë humbur vëllezërit e miqtë, është t’i bindim se autoritetet janë në gjendje t’i gjejnë dhe t’i eliminojnë strofkat e grupeve terroriste të kësaj zone. Sapo folëm me Ministrin e Brendshëm, i cili erdhi këtu. Të rinjtë e pyetën: a jeni në gjendje të na mbroni, apo secili duhet të mendojë për vete dhe për familjen e vet?
Ju personalisht, në mesazhin tuaj, kërkoni të rimerret rruga e paqes dhe e bashkëjetesës me myslimanët…
Kështu bëjmë gjithmonë. Kështu ka bërë gjithmonë Kisha Katolike dhe Konferenca Ipeshkvnore Nigeriane. Kemi bërë shumë për nxitjen e harmonisë dhe të respektit të ndërsjelltë me bashkësinë myslimane. Prandaj, duhet të përpiqemi e të shpresojmë se, pavarësisht nga episodet si ky, ia vlen të vazhdojmë rrugën e dialogut e të pajtimit. Shumica e nigerianëve – myslimanë e të krishterë – dëshiron të jetojë në paqe, së bashku. Ndër viktimat e këtij atentati ka edhe myslimanë. Shkuam në spital për të vizituar të plagosurit rëndë. Fola dhe u luta me dy myslimanë: nuk ishin në kishë, kalonin andej rrugës… Duhet ta marrim shumë seriozisht dialogun dhe bashkëjetesën.
Cili është mesazhi juaj për vëllezërit e krishterë, të goditur nga kjo tragjedi, dhe për gjithë bashkësinë e krishterë nigeriane?
Që dje, kam në mendje Fjalën e Jezusit: nuk duhet të kemi frikë nga ata, që vrasin trupin e që nuk mund ta vrasin shpirtin. Nuk duhet të kemi frikë nga këta njerëz. Nuk duhet t’i lemë të na vrasin shpirtin: frymën e bashkëjetesës, frymën e respektit për të tjerët. Ka rrezik që me këto akte të krijohen tension e urrejtje ndërmjet të krishterëve e myslimanëve. E kjo do të ishte një tragjedi edhe më e madhe. Na kanë ngushëlluar shumë fjalët e Atit të Shenjtë, i cili u lut për njerëzit tanë. Shpresojmë, që me lutjet e Papës e me mbështetjen e bashkësisë katolike, të rigjejmë udhën e paqes.







All the contents on this site are copyrighted ©.