Përsëri gjak, Natën e Krishtlindjes, në Nigeri. Urrejtje fare pa kuptim, komenton
atë Lombardi.
Dhuna nuk e kursen Nigerinë as ditën e Krishtlindjes: sot paradite tri bomba shpërthyen
në afërsi të po aq kishave: një në rrethinat e Abuzha; tjetra, në Jos; ndërsa e treta,
në Gadaka. Në të trija kishat po kremtoheshin Meshët e Krishtlindjes. Sipas vlerësimeve
të para, duhet të kenë gjetur vdekjen të paktën 27 vetë. Drejtori i Sallës vatikanase
të Shtypit, atë Federiko Lombardi, i shpreh popullit nigerian afërsinë e tij, në një
ditë, që duhet të ishte plot me gëzim e paqe.
Kështu besimtarëve të vendit
afrikan iu desh të paguajnë haraç gjaku edhe në ditën e njërës nga festat më të bukura.
E pikërisht kur kremtonin. Në kulmin e Meshës, në vend të tingujve të këmbanave, u
dëgjuan zhurmat shurdhuese të shpërthimit të bombave. E para shpërtheu në Kishën katolike
të Shën Terezës, në Madalla, në rrethinat e kryeqytetit nigerian, Abuzha. Pak më
vonë, shpërtheu e dyta, pranë Kishës së Mrekullive, përplot me besimtarë në festë,
këtë mëngjes jo të zakonshëm. Këtu, një grup i armatosur, qëlloi mbi policinë, që
ruante vendin, duke vrarë një polic. Ndërkaq, në një ndëtesë pak më larg, u gjet edhe
një bombë tjetër. Bomba e tretë shpërtheu pas mesdite në Gadaka, në shtetin jugor
të Jobe-s. Zëdhënësi i agjensisë nigeriane të shërbimeve të sigurisë, Yushau Shuaib,
konfirmoi se në Abuzha ka disa të vrarë e të plagosur, por bilanci zyrtar është ende
i pasaktë. Ministria e Brendshme nigeriane njoftoi se nuk ka autoambulanca të mjaftueshme
për të përballuar emergjencën. Ekstremistët islamikë të organizatës Boko Haram,
të cilët vitin e kaluar shkaktuan vdekjen e 32 vetëve e plagosjen e 72 të tjerëve
në Jos, pohuan autorësinë e atentatit të Madalla-së. “Ngjarje, që flet për mizori
e urrejtje të verbër, fare pa kuptim, pa kurrfarë respekti për jetën njerëzore”: kështu
e komentoi atentatin e trifishtë, drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko
Lombardi në një deklaratë, përmes së cilës i shpreh afërsinë e tij popullit nigerian:
“Ndërsa lutemi për viktimat, urojmë, vëren atë Lombardi, që kjo dhunë pa kuptim, të
mos e zbehë dëshirën për bashkëjetesë paqësore dhe dialog në vend”.