2011-12-25 15:53:19

Kremtimi i Krishtlindjes në Tokën e Shenjtë. Intervistë e atë Picabalës.


Dje pasdite 24 dhjetor, me hyrjen e Patrikut latin të Jeruzalemit, imzot Fuad Tual, nisën kremtimet e Krishtlindjes te Grazhdi, i cili më se dymijë vjet më parë pa Lindjen e Foshnjës Hyjnore.
Kremtimet filluan me Lutjet e para mbrëmësore, në Bazilikën e Lindjes së Krishtit dhe vijuan me Meshën e mesnatës, në praninë e presidentit palestinez, Abu Mazen dhe të kryeministrit, Salam Faiad.
Për ta pritur Patrikun latin të Jeruzalemit, që hynte në Sheshin e Lindjes së Krishtit, kishin dalë autoritetet vendase, françeskanët rojtarë të Bazilikës dhe mijëra besimtarë, nga mbarë bota, mbledhur rreth Grazhdit të Zotit. Nisi kështu, Krishtlindja në Betlehem, me kremtime që përsëriten prej shekujsh, me ceremoni të pandryshueshme.
Një varg i gjatë makinash, paraprirë nga policia izraelite, u nis nga Jeruzalemi dje, në orën 12.00, për të shoqëruar Patrikun latin dhe bashkëpunëtorët e tij. I gjithë qyteti i përcolli të krishterët që niseshin për në Betlehem. Gjatë udhës, vargu i gjatë i shtegtarëve u ndalua në manastirin e Shën Elisë, pranë varrit të Rakeles e Murit, që ndan Jeruzalemin nga Betlehemi. Patriku hyri në qytetin e lindjes së Jezusit përmes një porte, që hapet vetem për raste të mëdha, si ky i djeshmi.
Simbolike e prekëse kjo hyrje, që të kujton se kryeqendra e vogël e Judës, sot është qytet që vuan. E megjithtë, edhe shpreson, gëzohet, feston. Për t’i treguar mbarë botës, që ia ngul sytë, se përpiqet të jetë më i fortë se të gjitha vështirësitë, siç u shpreh edhe Rojtari i Tokës së Shenjtë, atë Pierbatista Picabala, i cili na flet për kremtimet e sivjetme:

Përgjigje: - Në këndvështrimin liturgjik e të manifestimeve publike, Krishtlindja po kremtohet si çdo vit. Atmosfera është festive, si zakonisht. Para të gjitha kremtimeve ndjehet fort atmosfera e pritjes. Krishtlindje e hareshme e, megjithatë e shqetë për bashkësinë e krishterë, e jo vetëm për Tokën Shenjte, por për të gjitha vendet e Lindjes së Mesme.

Pyetje: - Në mesazhin tuaj keni shkruar se Krishtlindja është edhe histori e thesareve. Për çfarë thesaresh e keni fjalën?

Përgjigje: - Thesari më i çmuar është Jezusi. Prandaj sivjet i lashë mënjanë problemet politike e shqetësimet shoqërore, të cilat i kujtoj çdo vit dhe i ftova të gjithë të shikojnë vetëm Jezusin, të mendojnë vetëm për Zotin, që lind përsëri këtu, ku pati lindur historikisht më se dymijë vjet më parë. Thesari më i madh është Krishti, e thesare janë edhe njerëzit, që banojnë këtu; thesare, nismat e shumta të paqes e çdo gjë e mirë, që i shërben zhvillimit: janë thesare shpesh të fshehura, të panjohura.

Pyteje: - Urimi juaj për Krishtlindje?

Përgjigje: - Uroj t’i lëmë mënjanë shpresat e vogla, të jemi të aftë për t’i harruar vegimet tona vocrrake e për të parë atë, që është vërtet e bukur: njeriun, para vetë Zotit!

E kështu, në një atmoferë optimiste, plot hare, me jehonën gazmore të daulleve e të gajdeve të shumë grupeve skaut, në Sheshin e Grazhdit, festa vijon…
Qyteti sivjet është plot me shtegtarë, ardhur nga të katër anët e botës për ta kremtuar Krishtlindjen në Betlehem. Tejet të prekur shtegtarët, shumë prej të cilëve u duket si ëndërr kremtimi i Lindjes së Krishtit pranë grazhdit, ku Zoti u bë njeri!
.E nuk mungojnë as vendasit, gjë që e dëshmon fakti i 15 mijë lejeve, lëshuar palestinezëve të Territoreve nga autoritetet izrarelite për të hyrë në Betlehem, e 500, lëshuar besimtarëve të Gazës.
Te Grazhdi, që dje, dëgjohen lutje të vazhdueshme, me zë e pa zë, korale e të heshtura, ndërprerë vetëm nga kremtimet liturgjike në Bazilikë, nga këngët e nga procesionet e françeskanëve tek Shpella, ku lindi Zoti.
Kulmi i kremtimeve arriti në Meshën e mesnatës, kryesuar nga imzot Tual në Bazilikën e Shën Katerinës, transmetuar nga mondovizioni. Për kremtimin e kësaj Eukaristie u shpërndanë 1. 800 bileta. Ndërmjet autoriteteve civile e fetare, në Meshë ishte i pranishëm, edhe sivjet, presidenti palestinez Abu Mazen i cili, rreth orës 19.00, i ftuar nga françeskanët, sipas traditës, darkoi me Patrikun, ipeshkvijtë autoritetet. Simbol i vëllazërimit e i miqësisë, edhe kjo darkë.









All the contents on this site are copyrighted ©.