2011-12-25 12:17:35

Benedikti XVI: Mesazhi i Krishtlindjes dhe Bekimi ‘Urbi et Orbi” – “Romës e Botës”


Të dashur vëllezër e motra të Romës e të mbarë botës!
Krishti lindi për ne. Lumni Hyjit në lartësitë qiellore e paqe mbi tokë njerëzve, që Ai i do. Uroj që të gjithë ta dëgjojnë lajmin e madh të Betlehemit, të cilin Kisha Katolike e shpall sot në të gjithë kontinentet, përtej kufijve kombëtarë, gjuhëve, kulturave. I Biri i Marisë Virgjër lindi për të gjithë, është Shëlbuesi i të gjithëve.
Kështu e kujton një antifonë e lashtë liturgjike: O Emanuel, mbreti ynë e ligjvënësi ynë, shpresë e shëlbim për popujt: eja të na shpëtosh, O Zot, Hyji ynë! Veni ad salvandum nos! Eja, na shpëto! Është britma e njeriut të të gjitha kohëve, që e ndjen se nuk mund t’i kapërcejë i vetëm vështirësitë e rreziqet. Ka nevojë për një dorë më të madhe, më e fortë, që t’ia shtrëngojë dorën e brishtë; për një dorë, që i shtrihet nga lartësitë qiellore.
Të dashur vëllezër e motra, kjo dorë është Jezusi, që Virgjëra Mari e lindi në Betlehem. Ai është dora, që Zoti i shtrin njerëzimit, për ta nxjerrë nga balta e kënetës së mëkatit e për ta ngritur përsëri në këmbë mbi shkëmb, mbi shkëmbin e patundur të së vërtetës së Tij e të dashurisë së Tij (cfr Ps. 40,3).
Po, këtë kuptim ka emri i kësaj Foshnjeje që, sipas dëshirës së vetë Zotit, ia ngjitën Maria e Jozefi; quhet Jezus, që do të thotë “Shëlbues” (cfr Mt 1,21; Lk 1,31). Ai u dërgua nga Hyji Atë, për të na shpëtuar nga e keqja më e madhe, e rrënjosur në zemrën e njeriut e në histori: nga ajo e keqe, që është ndarja prej Zotit, nga kryelartësia fodulle për të mos u varur nga askush, për të konkurruar me vetë Hyjin, për t’i zënë vendin, për të vetëvendosur ç’është e mirë e ç’është e keqe, për të qenë zot i jetës e i vdekjes (Cfr Gen 3,1-7). Kjo është e keqja më e madhe, mëkati më i madh, nga i cili ne, njerëzit, nuk mund të shpëtojmë, në se nuk e lëshojmë plotësisht veten në dorë të Zotit, në se nuk i drejtomë Atij britmën: “Veni ad salvandum nos!” – “Eja, na shpëto!”.
Vetë fakti i lartimit të kësaj lutjeje kah qielli, na krijon kushtet e duhura, na bën ta njohim vetveten: ne jemi ata, që iu lutem me ngashërim Zotit e që ai i shpëtoi (cfr Est [greqisht] 10,3f). Zoti është Shëlbuesi, ne, të rrezikuarit. Ai është mjeku, ne, të sëmurët. Pranimi i kësaj së vërtete, është hapi i parë drejt shëlbimit, drejt daljes nga shtegu i verbër, ku na shtyu fodulleku ynë. Në se dëshirojmë të dalim nga rruga pa krye, e vetmja mënyrë është t’i lartojmë sytë kah qielli, t’i shtrijmë duart e të kërkojmë ndihmë, me kusht që dikush të mund të na dëgjojë, të mund të na vijë në ndihmë.

Jezu Krishti është prova, që tregon se Hyji e ka dëgjuar britmën tonë. E jo vetëm! Hyji ka për ne një dashuri aq të madhe, sa të mos mund të mbyllet brenda Vetvetes, sa të dalë nga Vetja e të vijë tek ne, duke marrë deri në fund të fundit natyrën tonë (Cfr Es 3,7-12). Përgjigjja, që Hyji i dha, përmes Jezusit, britmës së njeriut, e tejkalon pambarimisht shpresën tonë, duke arritur në një solidaritet të tillë, që nuk mund të jetë thjesht njerëzor, por hyjnor. Vetëm Hyji, që është dashuri, e dashuria, që është Hyj, mund ta zgjidhte, për të na shpëtuar, këtë rrugë që, natyrisht, është më e gjata, por edhe rruga që respekton të vërtetën e tij e tonën: rruga e pajtimit, e dialogut, e bashkëpunimit.
Prandaj, vëllezër e motra të dashura të Romës e të mbarë botës, në këtë Krishtlindje 2011, t’i drejtohemi Foshnjës së Betlehemit, Birit të Virgjërës Mari e t’i themi: “Eja, na shpëto!” E përsërisim këtë thirrje në bashkim shpirtëror me shumë njerëz, që jetojnë në kushte tejet të vështira, e duke u bërë zë i atyre, që nuk kanë zë.
Së bashku kërkojmë ndihmë hyjnore për popujt e Bririt të Afrikës, që vuajnë nga uria e nga thatësira, të rënduara shpesh edhe nga pasiguria e vazhdueshme. Bashkësia ndërkombëtare duhet të punojë, që të mos u mungojë ndihma refugjatëve të shumtë, të cilët vijnë nga kjo zonë, të lënduar thellë në dinjitetin e tyre.
Zoti i ngushëlloftë popullsitë e Jug-Lindjes aziatike, porsaçërisht ata të Tailandës e të Filipineve, që kalojnë ende kohë të vështira për shkak të përmbytjeve.
E ndihmoftë njerëzimin e plagosur nga një mori konfliktesh, që vijojnë ta gjakosin Planetin. Ai, që është Princi i Paqes, i sjelltë paqe e stabilitet Tokës, të cilën e zgjodhi për të ardhur në botë, duke nxitur dialogun ndërmjet izraelitëve e palestinezëve. Bëftë që të pushojë dhuna në Siri, ku tepër gjak është derdhur. Ndihmoftë për pajtimin edhe stabilitetin e plotë në Irak e në Afganistan. I dhëntë hov të ri veprimtarisë për të mirën e përbashkët të të gjithë anëtarëve të shoqërisë në Vendet e Afrikës së Veriut e të Lindjes së Mesme.
Lindja e Shëlbuesit e thelloftë dialogun e bashkëpunimin në Mianmar, për gjetjen e rrugëzgjidhjes së përshtatshme. Ardhja e Shpërblyesit siguroftë stabilitetin politik në vendet e zonës afrikane të Liqeneve të Mëdha dhe ndihmoftë impenjimin e banorëve të Sudanit të Jugut për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve.
Të dashur vëllezër e motra, t’ia ngulim sytë Shpellës së Betlehemit: Foshnja, që kundrojmë, është shpëtimi ynë! Ai solli në botë mesazhin universal të pajtimit e të paqes. T’ia hapim zemrat, ta përbujmë në jetën tonë. Të përsërisim me besim e shpresë: “Veni ad salvandum nos!”.(tekst i plotë)







All the contents on this site are copyrighted ©.