2011-12-24 14:19:05

Të përgatitemi për kremtimin e Krishtlindjes.


Sipas një tradite të lashtë, që vjen nga zanafilla e Kishës së Romës, të krishterët e kremtojnë misterin e Lindjes së Zotit në zemër të natës, duke kujtuar, kështu, heshtjen e thellë, në të cilën ishte zhytur natyra, kur Biri i Zotit u bë njeri e drita shkëlqeu mbi barinjtë, që rrinin zgjuar, për të ruajtur grigjët. E ishin pikërisht ata, që e morën të parët lajmin e gëzuar të lindjes së Shëlbuesit.
Edhe ne, në këtë Natë të Shenjtë, mblidhemi së bashku, për të kremtuar, shpirtërisht pranë Atit të Shenjtë, Benediktit XVI, misterin e Lindjes së Zotit, Mister i Dritës, që shkëlqen mes errësirës; i Fjalës së Mishëruar, që shëlbon; i Bukës së zbritur nga qielli, që na mban gjallë!
Në fe, bashkohemi me të gjithë të krishterët që, në mbarë botën, kujtojnë ngjarjen e madhe të shëlbimit tonë, posaçërisht me vëllezërit e motrat e Afrikës e të Azisë, të Amerikës së Veriut e të Jugut, të Australisë e të Oqeanisë, të Evropës së Lindjes e të Perëndimit, në lidhje të fortë shpirtërore me Bazilikën e Shën Pjetrit, në Romë, përmes radios, televizionit e mjeteve të tjera të reja të komunikimit, që e bëjnë, në këtë natë të lume, mbarë botën katolike, një zemër të vetme e një shpirt të vetëm, rreth Grazhdit të Betlehemit.
Ta nisim, pra, kremtimin e Natës së Madhe, të gjunjëzuar në lutje, në atmosferën e heshtjes së thellë e të meditimit. T’i kremtojmë, së bashku, leximet ungjillore, që na çojnë menjëherë në Betlehem. E, para se të fillojë Mesha Shenjte, ta dëgjojmë shpalljen e lajmit të madh të lindjes së Zotit, përmes Këngës së lashtë të “Kalendës”. Ky kumtim do të na kujtojë se Krishti, Shpërblyesi i njeriut, është qendra e kozmosit dhe e historisë.

Këngëtari kumton lindjen historike të Shëlbuesit:
25 dhjetor, Hëna e gjashtëmbëdhjetë;

Kishin kaluar shumë shekuj nga krijimi i botës, kur në zanafillë Hyji pati krijuar qiellin e tokën e pati bërë njeriun, sipas shembëlltyrës së vet;

E shumë shekuj që kur, pas përmbytjes, i Tejetlarti kishte bërë të shkëlqente ylberin, shenjë e besëlidhjes e e paqes:

Njëzet e një shekuj pas nisjes së Abrahamit, atit tonë në në fe, nga Uri i Kaldejve:

Trembëdhjetë shekuj pas daljes së Izraelit nga Egjipti, nën udhëheqjen e Moisiut;

Rreth njëmijë vjet pas lyerjes me vaj të Davidit si mbret i Izraelit;

Në të gjashtëdhjetë e pestën javë, sipas profecisë së Danielit;

Në epokën e Olimpiadës së njëqind e nëntëdhjetë e katërt;

752 vjet pas themelimit të Romës;

Në vitin e 42-të të perandorisë së Qesarit Oktavian Augusti;

kur mbi gjithë botë mbretëronte paqja, Jezu Krishti, Hyj i amshuar e Bir i Atit të amshuar, duke dashur ta shenjtëronte botën me ardhjen e Tij, si u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt e si kaluan nëntë muaj, lindi në Betlehem të Judës nga Virgjëra Mari, e u bë njeri.

Është Lindja e Zotit tonë, Jezu Krishtit, sipas natyrës njerëzore.







All the contents on this site are copyrighted ©.