‘Ti ulesh prej parrizit’ ('Tu scendi dalle stelle' ) është tjetër këngë shumë e njohur
dhe e dashur e Krishtlindjes. Në dhjetor të vitit 1754 Shën Alfons de Liguori improvizoi
në një Kishë të Nolës këngën-himn të Krishtlindjes: "Ti zbret nga yjet". E
lehtë për t’u kënduar, e përshtatshme për mundësitë vokale të fëmijëve, të grave e
të njerëzve të popullit, kjo nina-nanë u përhap shumë shpejt e u përkthye në gjuhë
të ndryshme të botës, duke u bërë, së bashku me ‘Stille Nacht’, një tjetër himn i
Solemnitetit të Lindjes së Krishtit. Është një nga këngët më të ëmbla të Krishtlindjes.
E këtë këngë, të cilën e pëlqente shumë edhe kompozitori i famshëm italian, Gjuzepe
Verdi, ne vijojmë ta këndojmë si lutje, sepse u frymëzua pikërisht nga dëshira e Themeluesit
të Redentoristëve, autorit të shumë veprave asketike e dogmatike, rrëfyesit, muzikanit,
kompozitorit, dijetarit të madh, Shën Alfonsit, për t’ia predikuar Ungjillin çdo krijese,
edhe me tinguj muzikorë. Prandaj pa këtë himn Krishtlindja do të kishte diçka mangut. Kënga
u përkthye shumë shpejt edhe në gjuhën shqipe, nga një përkthyes që kishte cilësi
të përafërta me krijuesin e saj. E cili nga studiuesit e letrave shqipe e di se përkthyesi
i himnit të dytë të Krishtlindjes, pas ‘Stille Nacht’, pra ‘Ti ulesh prej parrizit’
është meshtari e poeti i madh shqiptar, dom Ndre Mjeda, i shtyrë nga e njëjta
dëshirë: ‘t’ia predikonte Ungjillin çdo krijese’. Ja këtu më poshtë kënga në përkthimin
e Mjedës. Ti ulesh prej parrizit Ti ulesh prej parrizit, O Zot e mbret
madhnije. E në tokë vjen m’ u bâ nieri Vetem prej dashtenije: Aq i dashtun
jé per né Qi në nji shpellë ti vjen me lé! O Zot i lum, Un s’e kam ditë se
ti Né të shkretët na don kaq shum! Për ty qi rruzullimin Gjithmbarë e ké
krijue, S’jânë gjetë as shpí as petka, E zjermi të ka mungue. Tash âsht dimen,
akull, borë, Me qindrue njashtu â zór. O djalë i shkretë! Prei së ftofti
ti po dridhe, Po dridhe e po bertet! O Biri i të naltit Zot. Ti pate gjith
lumnín, Por deshtas e ké lanun E kapë e ké vorfninë. Pra pse kján e pse gjimon, Kerkush
tý nuk po t’ankon: Ti do me më msue Se pa durim nuk mundet Kerkush m’u shelbue. Ne
disha gja ti fshân E kján, o bukuri, Persè, si duhet, nieri S’t’a din gjith
at dashtëní; Vesht e mora un i ngrati Se at mundim t’a nep ty mkati; O mkat
mallkue! Por ti, o Zot, më fal! Më fal se jam pendue! Ti flên përmbi at grazhd, O
i lumi djalë plot hír. Por zêmers me mârrë gjûm I del fort pûn’ e fshtír. Zêmra
e jote pse po lngon! Natë e ditë shka po mendon? Un tjeter s’po mendoj Veçse
me dekë per njerin. Me dekë qi ta shelboj! Me lé e me dekë per mue Dashtnija
të ka shternguemun: E vetë pa të dashtë, o Jezu, Si mundemi me rrnuemun? Shpnesa
e ême, o Virgjin Mrí, Me dashtë Krishtin se nuk di, Tý të kjosha true: Më
mso gjithmonë me e dashtun, Me e dashtë e me e levdue!