Papa kryeson Meshën e Natës së Krishtlindjes: lutje për paqe në botë e solidaritet
me të varfërit.
Kisha kremton sonte Solemnitetin e Lindjes së Zotit. Benedikti XVI do të kryesojë
Meshën e Natës, duke nisur nga ora 22.00. Nesër, në orën 12, nga Lozha qendrore
e Bazilikës së Shën Pjetrit, Papa do t’i drejtojë mesazhin tradicional dhe do t’i
japë bekimin e tij Romës e Botës – “Urbi et Orbi”. Të dy kremtimet do të transmetohen
nga Mondovizioni.
Është Krishtlindja e shtatë e Benediktit XVI: e edhe sivjet,
gjatë Meshës së Mesnatës, do të lartohet lutja për paqe në mbarë botën, për drejtësi
e solidaritet me më të varfërit, me më të vegjlit, që jetojnë mbi tokë. Zoti vetë
u bë i vogël, na kujton Papa në homelitë e Natës së Krishtlindjes, sepse nuk deshi
të na mundte me forcë. Nuk deshi të na trembte me madhështi: nuk kërkonte nënshtrimin,
por dashurinë tonë: “Zoti është aq i madh, sa mund të bëhet i vogël. Zoti
është aq i fuqishëm, sa mund të bëhet fare i pafuqishëm e të vijë për të na takuar
si fëmijë, si njeri i pambrojtur, që kështu të mund ta duam. Zoti është aq i mirë,
sa të heqë dorë nga shkëlqimi i tij hyjnor e të zbresë në një stallë të mjerë, që
ne ta gjejmë e që mirësia e tij të na prekë, të na hyjë në shpirt e të vijojë të veprojë
për shëlbimin tonë” (24 dhjetor 2005). Përballë Zotit, që bëhet
i vogël, pohon Papa, dijetarët ngatërrohen keqas. Njerëzit e thjeshtë, barinjtë e
Betlehemit, përkundrazi, e kuptojnë menjëherë kumtin e madh, sepse janë në pritje
që drita t’u tregojë shtegun: “E pikërisht kjo i intereson Zotit.
Zoti i do të gjithë, sepse të gjithë janë krijesat e tij. Por disa njerëz e mbyllin
shpirtin; dashuria e Tij nuk gjen asnjë shteg për të hyrë. Ata besojnë se nuk kanë
nevojë për Zotin; nuk e duan. Të tjerë, që ndoshta moralisht janë njëlloj të mjerë
e mëkatarë, të paktën e vuajnë mjerimin e shpirtit të tyre. Vuajnë e presin Zotin.
E dinë se kanë shumë nevojë për mirësinë e tij, ndonëse nuk janë krejt të qartë. Zoti
mund të hyjë në shpirtin e tyre, sepse e gjen të hapur, në pritje të dritës. Mund
të hyjë, duke e mbushur me paqen e vet. Zoti kërkon njerëz, që mbartin e kumtojnë
paqen e tij. T’i lutemi të mos na e gjejë zemrën të mbyllur” (24 dhjetor
2005). Të gjithë e dëshirojnë Zotin; zemrat njerëzore kanë etje për pafundësi,
për bukuri, për gëzim: “Në një farë mënyre njerëzimi e pret Hyjin, pret
t’i vijë pranë. Por kur mbërrin çasti, nuk ka vend për të. Është tepër i zënë me vetveten,
ka nevojë ta ketë për vete gjithë hapësirën, e gjithë kohën vetëm për punët e veta,
aq sa s’mbetet më asnjë vend i lirë për të tjerët, për të afërmin, për të varfërin,
për Hyjin. E njerëzit, sa më të pasur të bëhen, aq më tepër mbushen përplot me vetveten.
S’kanë më asnjë vend ku të hyjë tjetri!(24 dhjetor 2007). Edhe ata,
që besojnë në Zotin, në të përditshmen e tyre mendojnë se kanë aq shumë punë për të
bërë, sa të mos i mbetet asnjë çast i lirë për Atë të Lumin. E vënë, kështu, në vend
të fundit. Ndërsa barinjtë e Betlehemit, që lëshohen turravrap për të parë Foshnjën
Hyjnore, pa menduar fare për grigjët, as për ujkun, na mësojnë në shekuj, diçka krejt
tjetër: “Zoti është i rëndësishëm, është realiteti absolutisht më
i rëndësishëm në jetën tonë. Pikërisht për ta vënë Zotin në vend të parë, na kujtojnë
barinjtë. Prej tyre duam të mësojmë të mos shembemi nën peshën e punëve të ngutshme
të jetës së përditshme. Prej tyre duam të nxëmë lirinë shpirtërore për t’i lënë në
plan të dytë shqetësimet e tjera, sado të rëndësishme të jenë, e për t’u vënë për
udhë kah Zoti, për ta lënë të hyjë në jetën tonë e në kohën tonë. Koha, që i kushtohet
Zotit, e, për dashuri të tij, edhe të afërmit, nuk është kurrë kohë e humbur. Është
kohë, në të cilën jetojmë plotësisht, jetojmë si njerëz të vërtetë (24
dhjetor 2009). T’ia kushtosh kohën e duhur Zotit, nënvizon Papa, do të thotë
t’ia kushtosh edhe vëllezërve. Kështu Krishtlindja bëhet festë e vërtetë, në të cilën
shkëmbimi i dhuratave merr një kuptim krejt të ri: “Kur bën dhurata për Krishtlindje,
mos u dhuro vetëm njerëzve, që të dhurojnë, por jepu atyre, që nuk e dinë ç’është
dhurata, që nuk marrin as nuk japin dhanti. Kështu bëri edhe vetë Zoti: ai na fton
në gostinë e dasmës, dhuratë që ne nuk mund ta japim, por vetëm ta marrim. T’i ngjasim
Atij! Ta duam Zotin, duke u nisur nga Jezusi, e ta duam edhe njeriun, për ta zbuluar,
pastaj, Hyjin,në një mënyrë krejt të re, duke u nisur nga njerëzit” (24
dhjetor 2006).