2011-12-24 13:32:43

Nga Bredhi i Krishtlindjes e nga Shpella e Betlehemit buron mesazhi i vëllazërisë, që e davarit trishtimin.


Një simbol, që e pasuron vlerën simbolike të Shpellës e që, së bashku me ikonën e Betlehemit, i flet botës për shpresë e paqe që buron nga Foshnja Hyjnore. Ky është mesazhi që na vjen nga dritat e Bredhit të Krishtlindjes.
Simboli tradicional i Krishtlindjes, për këtë kohë e këtë Festë në Vatikan, por për shumkënd, edhe rikthim në kohë të kaluara, që ringjall në kujtesë vende, kohë e fytyra të dashura e, në shoqëri të njerëzve sjell atmosferën familjare të Krishtilindjes, e edhe kujtimin e traditave të festës që na përsjell tradita. Bredhi i Krishtlindjes është shenjë që na nxit për të festuar e për të shprehur mirënjohjen, por edhe për të reflektuar mbi kuptimin që kanë, pranë Shpellës ku lindi Krishti, dritat dhe stolitë, të cilat vezullojnë çdo vit mbi Shpellën e Betelehemit në zemër të Sheshit të Shën Pjetrit në Vatikan e në miliona familje e shtëpi, përhapur nëpër botë, në male e fusha, qytete e fshatra e deri në skajet më të largëta, ku ndërrohen stinët e bredhi vezullon herë nën dëborë e herë nën rreze tropikale diellore.
“Bredhi i Krishtlindjes pasuron vlerën simbolike të Shpellës së Betlehemit, që është mesazh i vëllazërimit e i miqësisë; grishje për bashkim e paqe, ftesë për t’i bërë vend, në jetën tonë e në shoqëri, Hyjit, i cili na dhuron dashurinë e tij të gjithëpushtetshme përmes figurës së brishtë të një Ferishteje, sepse dëshiron që dashurisë së tij t’i përgjigjemi lirisht me dashurinë tonë”.
Bredhi, i prerë pa dëmtuar jetën e pyllit e i zbukuruar këndshëm, që do të rrijë pranë Shpellës së Betlehemit deri në përfundim të festimeve të Krishtlindjes, për t’u admiruar nga shtegtarët e shumtë, që kanë ardhur e do të vijnë këto ditë në Vatikan nga të katër anët e botës, vazhdon të transmeton mesazhin jetëdhënës që vjen nga Emanueli – Zoti me ne. Dritat, e ndizura, janë simbol i dritës që Krishti, me lindjen e Tij, i solli njerëzimit për të davaritur errësirën e gabimit, të trishtimit, të mëkatit e për të pranuar e përqafuar Dritën e Dashurisë së Zotit.
“Shpella e Betlehemit e Bredhi sjellin një mesazh shprese e dashurie e ndihmojnë në krijimin e klimës të përshtashme për ta jetuar në përmasën e duhur shpirtërore e fetare, misterin e Lindjes së Shëlbuesit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.