2011-12-24 14:18:09

Kremtimet liturgjike të Kohës së Krishtlindjes.


Ju ftojmë, simbolikisht, në kremtimin rreth Atit të Shenjtë Benediktit XVI, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, Natën e solemnitetit të Krishtlindjes.
Gjëja e parë, që të bje në sy, pasi t’i afrohesh Elterit të Madh të Katedrës, është një shtatore e drunjtë e Zojës së Bekuar me Foshnjën Hyjnore në krahë. Simbolizon lidhjen ndërmjet Marisë e misterit të Krishtit, që përsëritet vit për vit mbi këtë elter. Shtatorja, e ruajtur në Muzeumet e Vatikanit, është dhurata, që presidenti i Brazilit, Jaoa Goulart, i bëri Palit VI me rastin e zgjedhjes së tij në fronin papnor, në vitin 1963. Vepra, e shkollës braziliane, realizuar në shekullin XVIII, paraqet Zojën e Montserrat, pikturuar me ngjyrë ari e argjendi.

Para se të fillojë kremtimi liturgjik, jetohet çasti i hyrjes e i përgatitjes, përmes ekzekutimit të disa këngëve, nën kujdesin e Kapelës Papnore Sikstine. Në këtë mënyrë besimtarëve u krijohet atmosfera e lutjes, që u prin shpirtërisht kah kremtimi liturgjik.

Libretet liturgjike tregojnë, përmes rubrikave, kohën e heshtjes pas homelisë së Atit të Shenjtë e pas Kungimit. Janë çaste të shkurtëra, por të përfshira në rit, sepse çaste të vërteta lutjeje, që të ndihmojnë për t’u takuar me Zotin e për ta adhuruar, e jo më pak, për ta medituar dhuratën e Fjalës së Zotit e të Eukaristisë.

Kremtimet liturgjike papnore, në mënyrë krejt të veçantë, duhet të shprehin njëkohësisht larmi e unitet. Në këtë kuptim, gjuhët e ndryshme, zgjedhur për leximet dhe për ndjetet e lutjeve të besimtarëve, nënvizojnë pjesëmarrjen në kremtimin liturgjik papnor të njerëzve, ardhur nga vise të ndryshme të botës, ndërsa përdorimi i gjuhës latine shpreh unitetin, universalitetin e vazhdimësinë e Liturgjisë së Kishës në kohë.

Lutja universale, ose e besimtarëve, zhvillohet në këtë mënyrë: Diakoni, duke kryer detyrën, që ia beson liturgjia, i drejton asamblesë, në gjuhën latine, një ftesë që të lutet për nevojat e ndryshme të Kishës universale e të botës. Pas një heshtjeje të shkurtër në uratë, disa besimtarë propozojnë, në gjuhët e tyre kombëtare, ndjetet e lutjes, të cilave asambleja u përgjigjet duke kënduar lutjen drejtuar Zotit për t’i dëgjuar e për t’i përmbushur ndjetet e uratës.

Në disa kremtime liturgjike, do të jenë të pranishëm kardinajtë diakonë.
Historikisht ata e kanë garantuar gjithnjë administrimin e qytetit të Romës dhe shërbimin liturgjik të Papës. Prania e tyre, sot, shpreh një traditë historike e liturgjike karakteristike për jetën e liturgjinë papnore.
Kardinajtë diakonë vishen me dalmatikë, për të treguar, edhe me paraqitjen, funksionin e tyre liturgjik, si shërbenjës e bashkëpunëtorë të Papës.

Zgjedhja e veshjeve liturgjike përkon gjithnjë me dëshirën për të shprehur drejtpeshimin ndërmjet së kaluarës e së tashmes, në shenjë vazhdimësie e duke i ndryshuar stilet, sipas kriterit të bukurisë së fisme, që kërkon kremtimi i mistereve të Zotit.

Përsa i përket shoqërimit muzikor, Kapela Sikstine do të ekzekutojë, si zakonisht, fragmente veprash me muzikë gregoriane e polifonike. Nënvizojmë se do të ekzekutohet Mesha “cum iubilo”, që i përket pikërisht Kohës së Krishtlindjes. Në çastin e paraqitjes së Dhuratave, do të luhen disa motete historike, kompozuar nga Pier Luigi da Palestrina për Kapelën Sikstine. Kënga tradicionale “Adeste Fideles (Vraponi, besimtarë), do të ekzekutohet në formën e përpunuar nga David Willcocks.

Kremtimi i Natës së Krishtlindjes

Mesha Shenjte do të paraprihet sivjet nga Lutja e Ofices së Leximeve, ashtu si e parashikon Meshari Romak, duke nisur nga ora 21.00. Pasi të kryhet lutja e Ofices, do të vijohet, me Këngën e Kalendës, kumtimi i Lindjes së Krishtit, që lexohet më 25 dhjetor e që përmbledh mahnitshëm pritjen universale të ditës, tashmë të mbërritur, të ardhjes së Zotit. Në përfundim të Kalenda, një diakon, sipas zakonit, zbulon Shtatoren e Krishtit Fëmijë, vendosur para Elterit të Rrëfimit.
Pasi Papa intonon Këngën e Lavdisë (Gloria), këmbanat e Bazilikës do të tingëllojnë në festë, shoqëruar nga organot, ndërsa fëmijët do t’i sjellin lulet në elter në përfundim të kremtimit eukaristik, kur Ati i Shenjtë do të shkojë tek Shpella e Betlehemit, për të vendour aty Foshnjën Hyjnore. Pikërisht në këtë çast, disa fëmijë, përfaqësues të vendeve të ndryshme (Italia, Guatemala, Gaboni, Burkina Fazo, Koreja e Jugut, Franca) do t’ia dhurojnë lulet Krishtit Fëmijë.
Pranë Krishtit Fëmijë, ulur mbi një fron të vogël para elterit, do të vendoset edhe Libri i Ungjijve të Shenjtë, për të nënvizuar Lajmin e Madh të Natës së Krishtlindjes: Fjala e Zotit u bë njeri!
Tekstet e lutjes universale u përgatitën nga murgjërit Çertozinë të Çertozës së Farnetës (Luka)
Me Atin e Shenjtë do të bashkëkremtojnë zotërinjtë kardinaj.
Shërbimi liturgjik do të kryhet nga seminaristët e Chatolic Studies Program të Universitetit të Shën Tomës, të St. Paul, Minesota (USA).

Bekimi ‘Urbi et Orbi” – “Romës dhe Botës”.
Siç është bërë traditë tashmë, Ati i Shenjtë do të veshë mantelin me stolë, me që është fjala për një bekim solemn, e jo për një rit të veçantë liturgjik. Pranë Papës, me veshje korale, në cilësinë e Kardinajve diakonë, do të jenë kardinali Zhan-Lui Toran, Proto-diakoni dhe kardinali Mauro Piaçenca.
Me bekimin papnor Urbi et Orbi’ lidhet edhe ndjesa e plotë, pasi të jenë plotësuar kushtet e zakonshme.
Shërbimin do ta kryejnë tre seminaristë të Kolegjit Urbanian “Propaganda Fide”, ardhur nga Benini, Meksika, e Azia.







All the contents on this site are copyrighted ©.