2011-12-24 14:20:08

David Turoldo: Eja, shpejto!


Ti eja natën…
po në zemrën tonë është natë përherë.
Eja përsëri në agim
në kohën e zgjimit të vështirë.
Eja përherë, eja, Zot!
Eja në heshtje,
mbasi këmbana shprish
hijen e muzgut
Eja, Ti, Zoti im!
Kur zemra s’ka ngjyrë tjetër
veç ngjyrës së zezë.
Ti eja përsëri!
Eja kur ndalem, o Zot,
e në shpirt shoh fëtyrën tënde.
Eja, pra në shpirtin tim!
Përplot me re është qielli,
frika e stuhisë të dërmon,
pa ty, o Zot, ka veç natë;
e syri nxihet nën peshën e hijes
e ndrydhet, e thehet, thërmohet,
po s’erdhe ti, o Zot!
E gjarpëri rishtas kapet për degë
e m’grish në mëkat.
Prandaj, eja, o Zot!
Kah qielli nisi sulmin,
po toka më ngreh prej vetes
po s’erdhe ti, o Zot!
Eja, ngjyrë tjetër s’ka
veç ngjyrës së qiellit tënd.
Nën strehët tona eja!
Zërin ta njohim mes tingujsh,
që zbardhin zemrat në festë!
Ti eja, pra, o Zot!
që na zbulon tënd Bir
e shpresa në Të merr trajtën
e fytyrës sate të amshuar;
trajtën e lutjes së qetë.
Ti eja, o Zoti im,
me hijet e ditës së vonë,
kur gishtat mbyllin fletën e jetës.
Eja, o Zot, mos vono!

Frymëzuar nga poezia “Eja, Zot” e David Maria Turoldos.







All the contents on this site are copyrighted ©.