2011-12-23 17:39:22

“Pesë hapa drejt gëzimit”: editoriali i atë Federiko Lombardit mbi fjalimin e Papës para Kuries Romake


Jo më larg se dje, Papa Benedikti XVI shkëmbeu urimet e Krishtlindjes me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, me kardinajt e Kuries Romake. Në fjalën që u drejtoi, Ati i Shenjtë u kërkoi ta presin me besim festën e lindjes së Krishtit, pavarësisht nga periudha e krizës. Mori si shembull entuziazmin dhe gëzimin e të rinjve në Ditët Botërore të Rinisë, për të përcaktuar pesë mënyra të përjetimit të fesë së krishterë. Pikërisht në to e përqendron komentin e sotëm javor, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi:RealAudioMP3
“Edhe këtë vit, në fjalimin mbajtur para bashkëpunëtorëve të Kuries Romake, në prag të Krishtlindjes, Papa arriti të na thotë diçka të bukur, të madhe dhe inkurajuese. E bëri këtë, duke pasur parasysh këtë kohë krize, që ai e konsideron – me plot të drejtë – jo vetëm ekonomike, por edhe më të thellë, morale, kulturore e shpirtërore. E bëri, duke reflektuar mbi një nga ngjarjet, që i ka lënë më shumë përshtypje gjatë këtij viti: Dita Botërore e Rinisë në Madrid. Papa Benedikti XVI gjen aty “një mënyrë të re, të rinuar, për të qenë të krishterë” e na e përvijon në pesë hapa, pesë këshilla për të kuptuar ç’duhet të shpallim e si, në një botë, që duket “e lodhur”, “e bezdisur” nga krishterimi.
Pikësëpari, “një përvojë e re e katolicitetit dhe universalitetit të Kishës”: fakti që jemi të gjithë vëllezër e motra nuk është vetëm ide, por eksperiencë. Pastaj, “të jetojmë për të tjerët është bukur”: koha dhe jeta marrin kuptim kur dhurohen, jo kur i mbajmë për vete. E më pas, adhurimi, akti i fesë para Krishtit të gjallë, të pranishëm në Eukaristi: Zoti është vërtet i pranishëm ndër ne, për ne e me ne. E më tej, falja e Zotit për secilin prej nesh në Sakramentin e Pendimit, për t’iu kundërvënë vazhdimisht egoizmit, për të lehtësuar peshën, që kemi në zemër e për t’ia hapur atë dashurisë. Së fundi, siguria se Zoti na do, na pranon, na mirëpret…. Bashkimi, dhurimi, besimi, pendesa, dashuria. Përshkimi i këtyre pesë hapave bën që jeta t’ia hapë dyert gëzimit. Nëse jo, dyshimi ‘a është mirë apo jo, që jetojmë e ekzistojmë’, nuk gjen përgjigje e bëhet i pakapërcyeshëm, jeta mbahet peng nga trishtimi. “Nga dyshimi për Zotin rrjedh pashmangshëm dyshimi mbi të qenit njeri” – thotë Papa. Por Hyji është bërë njeri pikërisht për të na ndihmuar t’i kapërcejmë këto dy dyshime. Pra: “Është mirë të ekzistojmë si njerëz, të jetojmë, edhe në kohë të vështira”. Gëzuar Krishtlindjen!”







All the contents on this site are copyrighted ©.